Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një paralajmërim sigurie për protestat e planifikuara gjatë fundjavës së 28 dhe 29 nëntorit, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar.
Sipas njoftimit, tubimet pritet të zhvillohen në qendër të kryeqytetit dhe në afërsi të institucioneve qeveritare. Për këtë arsye, mund të ketë vështirësi në qarkullimin rrugor, devijime të trafikut dhe bllokime të përkohshme të akseve kryesore.
Ambasada vëren se disa prej protestave të mëparshme kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë shkaktuar dëme materiale.
Në paralajmërim thuhet se personat që ndodhen pranë zonave të protestave mund të përballen me rrezikun e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të lëshuar në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe plumbave prej gome.
Për shkak të këtyre rreziqeve, përfaqësia diplomatike ka udhëzuar personelin e saj të mos frekuentojë zonat ku zhvillohen demonstratat.
“Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftim.
Ambasada rekomandon gjithashtu shmangien e tubimeve, vëzhgimin e kujdesshëm të mjedisit përreth, kufizimin e përdorimit të telefonit dhe kufjeve në ambiente publike, si dhe hartimin paraprak të një plani për t’u larguar në rast emergjence.













