Paketa Fiskale 2027, përbëhet nga 5 ligje pasi tashmë janë miratuar, por ndryshimet kryesore ishin tek ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore si dhe për paketat higjienike për gratë dhe bebet.
Ndërkohë rritet TVSH-ja standarde në 21%, që do të thotë çdo produkt tjetër veç shportës dhe paketave higjienike do të shtrenjtohet, si dhe ulet pragu i regjistrimit në TVSH për bizneset.
Sfidë është garantimi i uljes së çmimeve të ushqimeve bazë pas kësaj zbritje tatimore. zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, thotë se ulja maksimale që presin arrin deri 10% çmime më të lira.
“A mund të kemi një përcjellje perfekte të këtij reduktimi? Kjo nuk ndodh. Kjo ndodh vetëm në teori sepse kuptohet që gjithmonë një pjesë e këtij reduktimi fillon edhe ndahet. Gjithsesi çdo lloj përcjellje e një mase përtej 10% është jashtëzakonisht shumë e kënaqshme dhe e mirë. Çdo lloj përcjellje deri në 5% do konsiderohej një përcjellje jo e kënaqshme dhe do të na detyronte të ndërmarrim masa për hulumtime të mëtejshme. Reduktimet nga 5% deri në 10% pastaj do duhet të vlerësohen sipas produktit dhe sektorit të tyre”, thotë Yzeiraj.
Kuvendi rrëzoi ndryshimin e bërë në Komisionin e Ekonomisë për përfshirjen e ujit të ambalazhuar në TVSH 6%. Ky vendim konsiderohet i drejtë nga qeveria pasi synohet furnizim 24 orë me ujë nga rrjetit publik.
“Shqipëria po ndërmerr një politikë jashtëzakonisht shumë ambicioze në investime në rrjetet e kanalizimeve dhe të ujësjellësve, të cilët ne jo vetëm mendojmë por e kemi detyrim edhe për shkak të procesit të integrimit evropian që ne duhet të kapim patjetër standardet e Bashkimit Evropian në pak vite. Vetëm në qytetin e Durrësit fillon në vitin që vjen një investim prej 200 milion eurosh për rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësve për ta sjellë ato në një standard ë të nivelit më modern evropian. Pra ne do bëjmë gjithë këto investime të cilat do duhet patjetër të garantojnë ujë të pijshëm 24 orë me cilësi tërësisht moderne”, thotë ai.
Yzeiraj thotë gjithashtu se pjesë e TVSH-së 6% u vendos që të jenë produktet që kushtojnë më shumë.
“Pyetja ishte nëse do fillonim të kishim produktet që kushtojnë më shumë apo ujin? Patjetër që zgjidhja e gjithsecilit është për të patur produkte që kushtojnë më shumë bulmetin, fruta-perimet, produktet sanitare që kanë qenë shtesa e fundit në komisione”, thekson zëvendësministri
Pjesë e paketës fiskale të miratuar në Kuvend, është rritja e dividendit nga 8 në 15%. Për herë të parë do të ketë normë tatimore 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, ndërkohë që lehtësohet barra tatimore për shtresën e mesme me paga nga 200 mijë deri 700 mijë lekë. ndërkohë ligji i taksave kombëtare, vendos transferimin e taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit si dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, ashpërsojnë masat ndaj bizneseve që nuk shlyejnë në kohë detyrimet e tyre. Është miratuar gjithashtu rritja e akcizës për duhanin, por jo për atë që prodhohet në vend.










