Klodiana Spahiu nuk zhgënjeu. E emëruar në postin e ministres së Shëndetësisë në shtator të këtij viti, pas largimit të parakohshëm të Evis Salës, ajo nuk humbi kohë për të treguar se cili ishte misioni i vërtetë i rrokadës në kabinet. Atë që paraardhësja e saj me profil akademik refuzoi ta firmoste, zonja Spahiu e mori përsipër pa hezitim: ngritjen e “KAYO”-s së shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë hodhi këtë të premte në mbrëmje për konsultim publik, një projektligj për krijimin e “MedAL” sh.a., një shoqëri e prezantuar zyrtarisht si 100% shtetërore për furnizimin e spitaleve publike me barna dhe pajisje mjekësore.
Në retorikën zyrtare, krijimi i kësaj shoqërie aksionare shitet si një garanci për t’u dhënë fund mungesave kronike të ilaçeve në spitalet publike. Por përtej retorikës mbi sigurinë e furnizimit, nisma fshin kufirin mes buxhetit publik dhe interesit privat, duke legalizuar privatizimin de facto të të gjithë tregut të prokurimeve mjekësore.
Neni 4 dhe Neni 6 i japin “MedAL” sh.a. të drejtën të krijojë kompani të përbashkëta dhe të blejë aksione në firma private që prodhojnë ose tregtojnë barna, duke vënë në dispozicion edhe prona shtetërore si kontribut kapitali. Edhe më shqetësuese është se këto ortakëri mund të nisin me kërkesa të pakërkuara nga biznesi privat dhe të mbulohen nga klauzola e sekretit tregtar, larg syrit të publikut dhe kontrollit të parlamentit.

Ky konstrukt ligjor nuk është shpikje e re. Të dy nenen janë një kopje e saktë e “KAYO” sh.a., kompanisë shtetërore të mbrojtjes të ngritur në vitin 2024, e cila u përdor për të transferuar pasuri ushtarake dhe kontrata furnizimi tek ortakëritë me privatin. Tani, e njëjta skemë po eksportohet nga kazermat tek të sëmurët.
Për t’i dhënë kësaj lëvizjeje një fasadë evropiane, relacioni i qeverisë citon si frymëzim agjencitë Amgros në Danimarkë dhe SPMS në Portugali. Krahasimi është një mashtrim optik. Si agjencia daneze, ashtu edhe ajo portugeze, janë blerës rreptësisht publikë që organizojnë ankande të hapura ku kompanitë private konkurrojnë për të ulur çmimet; asnjëra prej tyre nuk hyn në ortakëri biznesi me furnitorët e ilaçeve.
Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Kur blerësi i vetëm shtetëror bëhet ortak tregtar me tregtarin e barnave, konkurrenca vdes. Tenderat e hapur zëvendësohen nga një kanal i mbyllur ekskluziv, ku një kompani hibride shtet-privat vendos çmimet dhe kontrollon fluksin e qindra milionë eurove fonde publike.
Garancitë e shkruara në letër—si e drejta e vetos së shtetit apo ndalimi formal i përdorimit të fondeve të barnave për humbjet e ortakërive—mbeten të brishta përballë një konflikti interesi të ndërtuar në themel të ligjit.
Ndërkohë, plaga e vërtetë e shëndetësisë shqiptare mbetet e paprekur. Shqipëria shpenzon vetëm 326 euro për frymë në vit për kujdesin shëndetësor—rreth 11 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian—duke i detyruar qytetarët të paguajnë nga xhepi rreth 60% të faturës totale mjekësore.
Me firmën e saj, zonja Spahiu konfirmoi se ndryshimi i ministrave në Tiranë rrallë sjell ndryshim politikash; ai shërben thjesht për të gjetur kamikazen e radhës që vë firmën për të çuar përpara punët e pista. Zonja Spahiu nuk u thirr në krye të shëndetësisë për të reformuar sistemin apo për të kuruar pacientët, por për të kryer aktin politik që paraardhësja e saj e pa të pamundur ta përballonte: të legalizojë kalimin e fondeve të të sëmurëve në duart e ortakëve privatë.
Ky është çmontimi i shëndetësisë publike. Privatizimi i prokurimeve përmes monopoleve shtet-privat nuk do t’i mbushë raftet e spitaleve me ilaçe më të lira. Ai do të arrijë vetëm një gjë: të transformojë buxhetin e të sëmurëve në një sipërmarrje tregtare të mbyllur, ku fitimi privatizohet me ligj dhe fatura i mbetet publikut./Klodian Tomorri, Kapitali.al












