Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë datave 28 dhe 29 nëntor, për shkak të protestave të paralajmëruara në kryeqytet.
Në një njoftim zyrtar, ambasada paralajmëron se demonstratat në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare mund të shkaktojnë bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh, por edhe incidente të dhunshme që mund të rrezikojnë sigurinë e personave që ndodhen në zonat e protestave.
Sipas njoftimit, disa prej demonstratave të zhvilluara më parë kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë shkaktuar dëme materiale.
Ambasada paralajmëron gjithashtu se personat që ndodhen pranë zonave të protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, pajisjeve ndezëse dhe predhave prej gome.
Për shkak të këtyre rreziqeve, ambasada bën të ditur se ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.
Në përfundim, u kërkohet qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, t’i japin përparësi sigurisë personale, të ndjekin mediat lokale për përditësimet dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore.
Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së:
“Demonstratat vazhdojnë në qendër të qytetit të Tiranës dhe përreth ndërtesave qeveritare, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Disa demonstrata janë shndërruar në trazira të dhunshme, me mjete ndezëse, gurë të hedhur dhe dëmtime pronash.
Kushdo që ndodhet në ose afër një zone demonstrimi mund të ekspozohet ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, pajisjeve ndezëse dhe topave/predhave prej gome. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka këshilluar personelin të shmangë të gjitha zonat e demonstrimit. Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.”

