Fertilizimi heterolog, institucionet shëndetësore dhe fshehja e prejardhjes, ku duhet të vendosen kufijtë ligjorë? - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Fertilizimi heterolog, institucionet shëndetësore dhe fshehja e prejardhjes, ku duhet të vendosen kufijtë ligjorë?

    Insajderi
    27 November 2026 - 13:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Zyhdi Hajzeri – Jurist – Imam

    Mjekësia i ka hapur rrugë të reja trajtimit të infertilitetit. Sot fertilizimi i asistuar mund të kryhet në disa mënyra, brenda ose jashtë trupit të gruas, dhe për personat e çiftet që e kanë të vështirë të bëhen prindër kjo ka peshë të madhe. Por ajo që mjekët mund ta kryejnë në një institucion shëndetësor nuk bëhet vetvetiu e pranueshme edhe për ligjin.

    Kur përdoren spermatozoide ose qeliza vezë të një personi të tretë, çështja del jashtë mjekësisë. Preket prejardhja e fëmijës, përcaktimi i lidhjeve familjare, të drejtat e dhuruesit dhe përgjegjësia e institucioneve publike.

    Nga ky kënd, nenet 40 dhe 49 të Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor duhen lexuar me vëmendje të veçantë. Neni 40 kërkon që institucionet shëndetësore të kenë hapësirë, kuadër profesional dhe pajisje mjekësore për fertilizimin heterolog, brenda dhe jashtë trupit, me spermatozoide dhe qeliza vezë të dhuruara.

    Neni 49 thotë se personi i lindur me qeliza riprodhuese të dhuruara mund të marrë informata për gjendjen shëndetësore të dhuruesit vetëm kur ka indikacion mjekësor dhe me pëlqimin e Komisionit për FAM. Identiteti i dhuruesit, ndërkaq, nuk zbulohet.

    Prej këtu dalin dy pyetje. E para: përse po ndërtohen kapacitete institucionale për procedura që përfshijnë një person të tretë, kur pasojat juridike dhe familjare nuk janë zgjidhur? E dyta: a është e drejtë që dikush, edhe pasi të bëhet madhor, të mos mund ta njohë prejardhjen e vet gjenetike, përveç kur ka arsye mjekësore?

    Asnjëra nuk është pyetje dytësore. Të dyja lidhen me të drejtat e njeriut, me identitetin familjar dhe me kufijtë që teknologjia mjekësore duhet t’i respektojë.

    A duhet shteti të krijojë kapacitete për çdo procedurë mjekësore?

    Neni 40, paragrafi 4, thotë se institucioni shëndetësor duhet të ketë hapësirë të përshtatshme, kuadër profesional dhe pajisje mjekësore për fertilizimin heterolog. Pikat 4.3 dhe 4.4 i përmendin shprehimisht procedurat brenda dhe jashtë trupit, me spermatozoide dhe qeliza vezë të dhuruara.

    Në praktikë, projektligji nuk e përmend vetëm mundësinë e përdorimit të qelizave të dhuruara. Ai kërkon që institucionet të pajisen dhe të organizohen që këto procedura të kryhen realisht. Ky është një vendim i rëndësishëm legjislativ. Shteti nuk rregullon thjesht një shërbim që mund të ofrohet në raste të caktuara; ai po ndërton bazën institucionale për procedura me material gjenetik të personave të tretë.

    Institucioni shëndetësor, pa dyshim, duhet të japë shërbime të sigurta dhe profesionale. Por nga kjo nuk rrjedh se çdo procedurë që kryhet teknikisht duhet të hyjë në sistemin shëndetësor. Para se të ndërtohen kapacitete për një ndërhyrje të tillë, duhet vlerësuar ligjshmëria e saj, pasojat familjare, të drejtat e fëmijës dhe përgjegjësitë e të gjithë personave të përfshirë.

    Të marrim një shembull. Nëse një çift përdor spermatozoidet e një burri tjetër, fëmija ka lidhje gjenetike me dikë që nuk është bashkëshorti i nënës. Nëse përdoret qeliza vezë e një gruaje tjetër, prejardhja gjenetike e fëmijës ndryshon nga ajo e gruas që e lind dhe e rrit. Këto situata nuk zgjidhen duke caktuar vetëm kush regjistrohet si prind.

    Duhet ditur si do të ruhen të dhënat e prejardhjes, si do të mbrohet identiteti i fëmijës dhe çfarë të drejtash do të ketë ai më vonë. Duhet caktuar edhe përgjegjësia e institucioneve shëndetësore kur ndodhin gabime në ruajtjen, identifikimin ose përdorimin e qelizave riprodhuese.

    Më tej vjen kontrolli i materialit gjenetik. A do të ketë sistem të saktë për identifikimin dhe gjurmimin e çdo dhurimi? Si do të ndalohet përdorimi i të njëjtave qeliza përtej kufijve të lejuar? Si do të sigurohemi që qelizat e një dhuruesi nuk hyjnë në procedura të tjera pa i respektuar kushtet ligjore?

    Këto kërkojnë rregullim të qartë. Nuk mjafton që ligji të kërkojë pajisje e personel profesional; duhet të garantojë edhe sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.

    Prandaj neni 40 nuk është një dispozitë e zakonshme për organizimin e institucioneve shëndetësore. Ai e bën praktikisht të mundur fertilizimin heterolog. Nëse vetë kjo procedurë has kundërshtime serioze juridike, etike dhe fetare, atëherë edhe ndërtimi i kapaciteteve për ta kryer duhet rishqyrtuar.

    Neni 49: fëmija ka të drejtë të dijë më shumë se gjendjen shëndetësore të dhuruesit

    Neni 49 është ndoshta dispozita më problematike e projektligjit. Sipas tij, personi i lindur me qeliza riprodhuese të dhuruara mund të kërkojë qasje në të dhënat për shëndetin e dhuruesit vetëm kur ka indikacion mjekësor dhe me pëlqimin e Komisionit për FAM.

    Paragrafi 2 e kufizon më tej: zyrtari përgjegjës mundëson qasje vetëm në të dhënat shëndetësore, pa e zbuluar identitetin e dhuruesit.

    Kështu, personi i lindur me këtë procedurë mund të marrë informata për shëndetin e dhuruesit vetëm nëse ka arsye mjekësore dhe nëse Komisioni e lejon. Por nëse dëshiron të dijë kush është njeriu prej të cilit ka trashëguar një pjesë të materialit gjenetik, neni nuk ia njeh asnjë të drejtë.

    Këtu pyetja është e thjeshtë: a ka rëndësi prejardhja gjenetike vetëm kur njeriu sëmuret?

    Jo, nuk ka. Prejardhja nuk i intereson vetëm mjekut dhe nuk del në pah vetëm me një sëmundje. Ajo është pjesë e identitetit personal. Dikush mund të dojë të dijë nga vjen, cilat janë rrënjët e tij familjare dhe kush është personi me të cilin e lidh gjaku. Kjo dëshirë nuk bëhet e parëndësishme vetëm se mungon indikacioni mjekësor.

    Fëmija i lindur me këto procedura nuk e ka zgjedhur mënyrën se si erdhi në jetë. Ai nuk ka marrë pjesë në vendimin për përdorimin e qelizave të një personi tjetër. Nuk është e drejtë, pra, që pasojat e atij vendimi t’i rëndojnë vetëm atij, duke ia kufizuar mundësinë të njohë prejardhjen e vet.

    Kjo duhet parë edhe krahas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Neni 33 i tij e njeh të drejtën e fëmijës për emër, për shtetësi, për të njohur prindërit dhe për ta ruajtur identitetin. Po ky nen parasheh mundësinë e dhënies së informacionit gjenetik për të gjetur prindërit ose të afërmit, kur fëmija është privuar në mënyrë të paligjshme nga elemente të identitetit të vet.

    Ky rregull duhet pasur parasysh kur hartohen normat për fertilizimin e asistuar. Neni 49 i projektligjit nuk guxon ta trajtojë informacionin gjenetik vetëm si të dhënë mjekësore; duhet të ketë parasysh edhe rëndësinë e tij për identitetin dhe historinë familjare të personit.

    Neni 50 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjithashtu kërkon që çdo veprim i institucioneve publike dhe private që ka të bëjë me fëmijët të jetë në interesin e tyre më të mirë. Pra ligjvënësi duhet të peshojë jo vetëm interesin e prindërve dhe të dhuruesit, por edhe atë të fëmijës që do të lindë.

    Kjo nuk do të thotë që identiteti i dhuruesit duhet të bëhet publik ose që privatësia e tij të lihet pa mbrojtje. Të dhënat personale e shëndetësore janë të ndjeshme dhe duhen ruajtur me kujdes. Por privatësia nuk mund të përdoret si arsye për t’ia mohuar personit, në çdo rrethanë, të drejtën të njohë prejardhjen e vet.

    Ligjvënësi duhet të gjejë një zgjidhje të drejtë midis dy interesave: privatësisë së dhuruesit dhe të drejtës së fëmijës për identitet. Kjo arrihet me një sistem të kontrolluar të qasjes në të dhëna, me kushte të qarta, procedurë të caktuar dhe mbrojtje nga keqpërdorimi.

    Një gjë, megjithatë, duhet të jetë e prerë: qasja në prejardhjen gjenetike nuk duhet të varet nga paraqitja e një sëmundjeje. Identiteti nuk është privilegj që e fiton kur të të duhet trajtimi mjekësor.

    Dhuruesi mund të mbetet anonim, por fëmija nuk duhet të mbetet pa përgjigje

    Në këtë çështje duhet parë edhe ana njerëzore. Mendoni për një person që gjithë jetën e di se ka ardhur në jetë me qelizat riprodhuese të një dhuruesi, por nuk ka asnjë rrugë të mësojë kush është ai. Mund të ketë pyetje për prejardhjen, për historinë familjare, për lidhjet gjenetike. Mund të dojë të dijë nëse ka vëllezër ose motra biologjike, nëse në familjen e dhuruesit ka sëmundje trashëguese, ose thjesht ta kuptojë një pjesë të vetvetes.

    A duhet që këto pyetje të mbeten pa përgjigje vetëm sepse dhuruesi ka kërkuar anonimitet?

    Kjo nuk zgjidhet duke mbrojtur vetëm interesin e dhuruesit. Duhet pasur parasysh edhe njeriu që lind nga kjo procedurë. Ai nuk duhet të jetojë me një paqartësi të përhershme për prejardhjen e vet, pa pasur mundësi që kërkesën e tij ta shqyrtojë një organ i pavarur.

    Edhe dhuruesi ka të drejtë për privatësi. Ai duhet të dijë se të dhënat e tij do të ruhen dhe nuk do të publikohen pa bazë ligjore. Por privatësia nuk është njëlloj me fshehjen absolute të çdo informacioni, pavarësisht nga interesi i fëmijës.

    Duhet menduar edhe për të ardhmen. Fëmijët e lindur me këto procedura do të krijojnë familjet e tyre. Pa qasje në informatat e prejardhjes, mund të mos i njohin kurrë lidhjet e tyre biologjike, e kjo mund të ketë rëndësi si për shëndetin ashtu edhe për marrëdhëniet familjare.

    Ligji, pra, duhet të vendosë një sistem të qartë për ruajtjen e të dhënave dhe për të drejtën e qasjes. S’mjafton të shkruhet se identiteti i dhuruesit nuk zbulohet. Duhet thënë kush mund të kërkojë qasje, në çfarë moshe, në cilat rrethana, kush e shqyrton kërkesën dhe a ka ankesë kundër refuzimit.

    Nëse Komisioni për FAM ka kompetencë të japë ose të refuzojë qasjen në informata, duhet caktuar edhe mbi cilat kritere vendos. Nuk është e drejtë që një çështje kaq e rëndësishme t’i lihet vetëm diskrecionit të një komisioni, pa kritere të qarta dhe pa mundësi reale për ta kundërshtuar vendimin.

    Pse jurisprudenca islame nuk e lejon përfshirjen e dhuruesit?

    Sipas jurisprudencës islame, përfshirja e një personi të tretë në krijimin e fëmijës nuk lejohet. Kjo vlen për dhurimin e spermatozoideve, për dhurimin e qelizave vezë dhe për përdorimin e mitrës së një gruaje tjetër.

    Arsyeja kryesore është ruajtja e prejardhjes familjare, e njohur si nasab. Në jurisprudencën islame prejardhja nuk është vetëm fakt biologjik. Prej saj varen lidhjet familjare, përgjegjësitë, e drejta e trashëgimisë dhe marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve.

    Nëse spermatozoidet vijnë nga një burrë që nuk është bashkëshorti i gruas, në krijimin e fëmijës hyn një person i tretë. E njëjta ndodh kur përdoret qeliza vezë e një gruaje tjetër. Kur embrioni bartet nga një grua tjetër, shtohet edhe ndarja e lidhjes gjenetike nga shtatzënia dhe lindja.

    Qëndrimi mbizotërues i jurisprudencës islame nuk i pranon këto procedura. I quan të papranueshme, sepse një person i tretë ndërhyn në marrëdhënien riprodhuese të bashkëshortëve dhe sjell paqartësi në përcaktimin e prejardhjes familjare.

    Këtë çështje e ka shqyrtuar edhe Akademia Ndërkombëtare e Jurisprudencës Islame, pranë Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Me Rezolutën nr. 16 (4/3), të vitit 1986, ajo i vlerësoi metodat e fertilizimit artificial. E lejoi procedurën me spermatozoidet e bashkëshortit dhe qelizën vezë të bashkëshortes, me kusht që embrioni të vendoset në mitrën e saj dhe të respektohen kushtet e caktuara, ndërsa metodat me person të tretë i ndaloi.

    Për rrjedhojë, ky qëndrim nuk e pranon dhurimin e spermatozoideve nga një burrë tjetër, dhurimin e qelizave vezë nga një grua tjetër dhe përdorimin e mitrës së një gruaje tjetër.

    Neni 40, që parasheh kushte institucionale për fertilizimin heterolog, bie ndesh me këtë qëndrim. Edhe neni 49, që rregullon fshehjen e identitetit të dhuruesit dhe kufizon qasjen në të dhënat e tij, nuk e prek problemin themelor: pjesëmarrjen e vetë personit të tretë.

    Ndalimi i këtyre procedurave nuk është refuzim i trajtimit të infertilitetit. Jurisprudenca islame i lejon metodat mjekësore që kryhen brenda martesës dhe nuk përfshijnë material gjenetik ose mitër të një personi të tretë. Kufiri, pra, nuk vendoset ndaj mjekësisë, por ndaj mënyrës se si ajo ndërhyn në prejardhjen familjare.

    Kosova është shtet laik dhe legjislacioni i saj mbështetet në Kushtetutë dhe në rendin juridik. Por kjo nuk i mbyll derën debatit publik për qëndrimet e jurisprudencës islame. Kur një projektligj prek drejtpërdrejt familjen, prejardhjen dhe identitetin, është e arsyeshme që institucionet fetare dhe ekspertët e kësaj fushe të dëgjohen.

    Çfarë duhet të ndryshohet në projektligj?

    Mendoj se nenet 40 dhe 49 duhen rishikuar thelbësisht. Nuk janë në pyetje disa përmirësime formulimi, por vetë lejimi i procedurave me qeliza riprodhuese të personave të tretë.

    Së pari, pikat 4.3 dhe 4.4 të nenit 40, që parashohin fertilizimin heterolog brenda dhe jashtë trupit me spermatozoide e qeliza vezë të dhuruara, nuk duhen miratuar në këtë formë. Ato krijojnë bazën për kryerjen institucionale të procedurave që ngrenë pyetje serioze për prejardhjen, amësinë dhe atësinë. Qëndrimi im është që fertilizimi heterolog nuk duhet lejuar në këtë projektligj.

    Së dyti, neni 49 duhet rishkruar me të drejtën e personit të lindur me këto procedura për të njohur prejardhjen e vet në qendër. Qasja në të dhënat e dhuruesit nuk duhet të kufizohet vetëm në rastet me indikacion mjekësor. Identiteti dhe prejardhja kanë rëndësi edhe pa asnjë diagnozë.

    Së treti, duhet caktuar një procedurë e qartë për kërkesat e atyre që duan informata për prejardhjen e tyre: në çfarë moshe mund të bëhet kërkesa, cili organ e shqyrton, mbi çfarë kriteresh vendoset dhe si ushtrohet ankesa. Komisioni për FAM nuk duhet të ketë kompetencë të pakufizuar që ta refuzojë një kërkesë pa arsyetim të qartë ligjor.

    Së katërti, të dhënat gjenetike e shëndetësore duhet të ruhen në mënyrë të sigurt dhe afatgjatë. Ato nuk mund të humbasin, të shkatërrohen ose të bëhen të paarritshme për personin që ka interes të ligjshëm t’i njohë.

    Së pesti, modeli i anonimitetit të dhuruesit duhet rishqyrtuar tërësisht. Privatësia e tij mbrohet, por nuk mund të kthehet në pengesë absolute ndaj të drejtës së fëmijës për identitet. Ligji duhet të gjejë një ekuilibër të drejtë midis këtyre dy interesave.

    Edhe me një sistem më të mirë të ruajtjes së të dhënave, kundërshtimi themelor ndaj fertilizimit heterolog mbetet. Prandaj nuk mjafton të përmirësohen procedurat administrative dhe kushtet e institucioneve shëndetësore. Duhet rishqyrtuar vetë lejimi i përdorimit të qelizave të personave të tretë.

    Dëshira për të pasur fëmijë është e natyrshme dhe ata që përballen me infertilitet meritojnë mbështetje. Por kjo mbështetje nuk duhet dhënë duke i anashkaluar të drejtat e fëmijës, peshën e prejardhjes dhe përgjegjësinë e shtetit për të vënë kufij të qartë.

    Nuk është e drejtë që një fëmijë të dijë vetëm nga ç’ka trashëguar një sëmundje, e për prejardhjen e vet të mos dijë asgjë. Identiteti i njeriut nuk fillon atëherë kur i duhet mjekimi. Ai është pjesë e jetës dhe e dinjitetit të tij.

    Prandaj neni 40 nuk duhet përdorur për të ndërtuar kapacitete institucionale për procedura që nuk janë shqyrtuar mjaftueshëm në aspektin juridik dhe etik. Dhe neni 49 nuk duhet të vendosë kufizime të tilla që personin e lindur me këto procedura ta lënë pa mundësi reale të njohë identitetin e vet.

    Qëndrimi im është se fertilizimi heterolog dhe dhurimi i qelizave riprodhuese nga persona të tretë nuk duhen pranuar në këtë projektligj. Trajtimi i infertilitetit duhet mbështetur, por me metoda që e respektojnë prejardhjen familjare dhe nuk e ndajnë lidhjen gjenetike nga marrëdhënia prindërore.

    Në fund, ligji duhet të mbrojë jo vetëm dëshirën e të rriturve për të pasur fëmijë, por edhe të drejtën e fëmijës të dijë nga vjen. Përparimi mjekësor mirëpritet, por jo çdo mundësi teknike duhet të bëhet mundësi ligjore. Ligjvënësi ka për detyrë të dijë jo vetëm çfarë mund të bëjë shkenca, por edhe ku duhet ta ndalë ligji.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark