Gjermania miraton buxhetin 2027, shpenzimet arrijnë në 556 miliardë euro
Parlamenti gjerman ka dhënë miratimin për buxhetin federal të vitit 2027, i cili parashikon një zgjerim të ndjeshëm të shpenzimeve shtetërore, me fokus të veçantë te mbrojtja, infrastruktura dhe investimet publike. Plani financiar shoqërohet gjithashtu me një nivel të lartë të huamarrjes.
Buxheti u miratua të premten me 317 vota pro dhe 260 kundër, falë mbështetjes së shumicës parlamentare të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD.
Sipas dokumentit të miratuar, shpenzimet në buxhetin bazë do të arrijnë në 556 miliardë euro, rreth 31.4 miliardë euro më shumë se një vit më parë, që përfaqëson një rritje prej afro 6 për qind.
Nga ana tjetër, të ardhurat e pritshme nga taksat llogariten në 391.3 miliardë euro, një shifër më e ulët se parashikimet fillestare të autoriteteve federale.
Për të përballuar shpenzimet e planifikuara, Berlini synon të sigurojë përmes huamarrjes rreth 210.4 miliardë euro gjatë vitit 2027. Ky do të ishte niveli i dytë më i lartë i borxhit të marrë ndonjëherë nga Republika Federale e Gjermanisë.




