Fenomeni klimatik El Niño rrezikon të përkeqësojë krizën ushqimore në disa rajone të Afrikës dhe Amerikës Qendrore, ku miliona njerëz mund të përballen me pasiguri të rëndë ushqimore në muajt e ardhshëm. Paralajmërimi vjen nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Sipas raportit të publikuar nga dy agjencitë, numri i zonave të prekura nga krizat ushqimore është rritur në 16, nga 13 që ishin evidentuar në muajin qershor.
Parashikimet për periudhën deri në mars të vitit 2027 tregojnë se deri në 3 milionë persona në Zimbabve, 2,6 milionë në Malavi dhe 1,8 milionë në Mozambik mund të përballen me pasiguri të rëndë akute ushqimore.
Alarmi është i fortë edhe në Amerikën Qendrore. Sezoni i parë i mbjelljeve në të ashtuquajturin Korridori i Thatë të rajonit ishte më i thati i katër dekadave të fundit, ndërsa në shumë zona humbjet e të korrave kaluan 75%.
Në Guatemalë, rreth 3,2 milionë persona pritet të përballen me pasiguri të rëndë akute ushqimore gjatë periudhës tetor 2026 – shkurt 2027.
Raporti nënvizon se El Niño nuk është faktori i vetëm që po rëndon situatën. Konfliktet e armatosura po kontribuojnë në përkeqësimin e sigurisë ushqimore në 12 nga 16 zonat e identifikuara të krizës.
Pesë prej këtyre zonave janë klasifikuar si vende me shqetësim të veçantë: Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, disa rajone të Nigerisë dhe Jemeni. Situata më kritike paraqitet në Sudan dhe Sudanin e Jugut, ku është evidentuar rreziku i shpërthimit të urisë ekstreme.
Përveç mungesës së ushqimit, popullsitë e prekura përballen edhe me rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, veçanërisht në zonat ku ndikimi i El Niño-s intensifikon reshjet sezonale.
Në Somali, organizata humanitare Mjekët pa Kufij (MSF) ka raportuar shtim të rasteve të kolerës dhe të sëmundjeve të tjera që lidhen me përdorimin e ujit të ndotur.

