Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj këngëtares Xhensila Myrtezaj për dyshime mbi veprën penale të pastrimit të parave, në një vlerë prej afro 6 milionë lekësh të reja. Pas raportimeve të ditëve të fundit, këngëtarja ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë, ku mohon kategorikisht fshehjen apo mosdeklarimin e të ardhurave të saj. Myrtezaj thekson se të gjitha të ardhurat burojnë nga aktiviteti artistik që ushtron prej vitesh, janë të ligjshme dhe të faturuara në sistemin tatimor shqiptar. Në reagimin e saj, këngëtarja shpjegon se akuzat lidhen me pretendime për mungesa dhe pasaktësi në dokumentacionin e të ardhurave, të cilat janë verifikuar nga organet tatimore për periudhën 2023-2024.