E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Skutherët e mesnatës me buxhetin: si kaloi “dhurata” për hotelet luksoze përmes deputetes Çakërri
Lajme

Skutherët e mesnatës me buxhetin: si kaloi “dhurata” për hotelet luksoze përmes deputetes Çakërri

Publikuar nga Anisa Mehmeti

Kuvendi kishte një muaj që diskutonte buxhetin. Kishte pasur seanca komisionesh, prezantime ministrash dhe fjalime për “drejtësi fiskale”. Në fund, gjëja më e rëndësishme u fut në minutën e fundit, kur askush nuk po shikonte.

Kuvendi miratoi në mesnatë buxhetin 2027 dhe ligjet e Paketës Fiskale. Po atë natë u votua aty për aty një amendament i deputetes së PS, Briseida Çakërri, për të shtyrë deri në dhjetor 2029 përjashtimin nga tatim-fitimi për hotelet me 4-5 yje, brende ndërkombëtare. Ky nuk është ndryshim i vogël teknik. Këto hotele dhe resorte fitojnë edhe tre vite kohë për të marrë statusin special, që u jep përjashtim nga tatimi mbi fitimin për 10 vjet. Afati që skadonte në dhjetor 2026 u shty deri në dhjetor 2029.

Mënyra si u bë flet vetë. Mazhoranca socialiste rrëzoi dhjetëra amendamente të opozitës, por miratoi këtë, të paraqitur në minutën e fundit. Propozimi u votua pa u prezantuar as në komisione. Deputetja demokrate Jorida Tabaku e quajti amendamentin jotransparent dhe tha se u publikua vetëm pas votimit. Megjithatë, amendamenti u miratua me 77 vota pro. Duart u ngritën njëra pas tjetrës, siç ndodh gjithmonë kur urdhri vjen nga lart. Pyetja është sa nga këta 77 deputetë e kishin lexuar atë që votuan.

Pse u zgjodh Çakërri? Sepse sistemi ka nevojë për emra që nuk bëjnë pyetje. Amendamenti mban firmën e saj, por logjika e tij është e njohur. Ligji për investimet strategjike, sipas Tabakut, është ndryshuar nëntë herë, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin. Dhe kjo ndodh ndërkohë që qeveria i ka premtuar Brukselit shfuqizimin e këtij ligji. Tabaku ngriti pikëpyetje për angazhimet e qeverisë ndaj Bashkimit Evropian.

Paradoksi është i qartë. Qeveria e shiti këtë buxhet si buxhetin ku “të pasurit paguajnë më shumë”. Por po me këtë paketë, TVSH-ja standarde rritet nga 20% në 21%, kurse pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH për bizneset e vogla zbret nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Pra pensionisti paguan 1% më shumë për çdo blerje, dyqani i lagjes futet në TVSH, ndërsa resorti me markë ndërkombëtare në bregdet nuk paguan tatim fitimi për një dekadë.

Kjo është drejtësia fiskale e mesnatës: taksat për fukarenjtë votohen me zhurmë dhe propagandë, ndërsa favoret për të fortët votohen në heshtje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.