“E dua kinemanë, por preferoj jetën”/ Monica Bellucci zbulon pse nuk jetoi kurrë në SHBA

27/11/2026 22:52

Pavarësisht suksesit ndërkombëtar dhe roleve në disa prej produksioneve më të njohura të Hollivudit, Monica Bellucci nuk ka zgjedhur kurrë të jetojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktorja italiane, 62 vjeçe, ka zbuluar arsyet e këtij vendimi gjatë një bashkëbisedimi me publikun këtë të premte, më 27 nëntor, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Marrakech, në Marok.

Sipas revistës People, Bellucci tregoi se, megjithëse vlerëson mundësitë që ofron industria amerikane e filmit, ndihet thellësisht europiane dhe preferon ta ndajë jetën mes Parisit dhe Romës.

Për aktoren, karriera nuk mund të zëvendësojë kënaqësitë e jetës së përditshme, kohën me familjen dhe miqtë apo lidhjen me realitetin përtej kamerave.

“E dua kinemanë, por preferoj jetën”, u shpreh Bellucci.

Gjatë bashkëbisedimit, aktorja u rikthye edhe te disa prej roleve më të rëndësishme të karrierës së saj, nga Maria Magdalena në filmin “The Passion of the Christ” deri te paraqitja përkrah Daniel Craig në filmin e James Bond, “Spectre”, në vitin 2015.

 

Bellucci foli gjithashtu për ndryshimet që ka përjetuar industria kinematografike ndër vite, duke vlerësuar praninë në rritje të grave si regjisore, skenariste dhe pjesëtare të ekipeve teknike. Sipas saj, bashkëpunimi me gratë sjell perspektiva të ndryshme në rrëfimin e historive.

Paraqitja e saj më e fundit në një film amerikan ishte në vitin 2024, në produksionin “Beetlejuice Beetlejuice”, me regji të Tim Burton.

Top Channel