Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje nga operacioni gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 136 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si marihuanë, ndërsa janë ndaluar tre persona.
Aksioni është zhvilluar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë daljes në Doganaj të Kaçanikut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkohë, një tjetër person i dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari ndodhet në arrati. Prokuroria ka bërë të ditur se në hetim është edhe përfshirja e mundshme e një zyrtari policor, ndaj të cilit po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara gjatë hetimeve, personat e dyshuar janë shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ata dyshohet se kishin organizuar transportimin e lëndës narkotike nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës, drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë. Marihuana dyshohet se do të shitej dhe shpërndahej në kuadër të këtij itinerari.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë me dije se hetimet do të vijojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet t’i paraqesë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.













