Qindra fermerë europianë marshuan të enjten në Bruksel kundër shkurtimeve të propozuara të mbështetjes për bujqësinë në buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Europian. Plani parashikon një rritje të ndjeshme të fondeve të bllokut për mbrojtjen.
Sipas Copa-Cogeca, organizatës që përfaqëson sindikatat e fermerëve dhe kooperativat bujqësore në të gjithë Europën, fermerë nga 23 vende u mblodhën në Place du Luxembourg për të paraqitur kërkesat e tyre gjatë një samiti dyditor të liderëve të BE-së.
Fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë traktorë jashtë Parlamentit Europian dhe efektivë policie të vendosur pranë barrikadave. Sindikata italiane e fermerëve Coldiretti mbajti pankarta me mbishkrimin “Ursula Ferti-Lies”, duke paraqitur Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Një pankartë në gjuhën italiane shkruante: “Ne prodhojmë ushqim, jo luftëra”.
“Bujqësia është një shtyllë e mbrojtjes së Europës”, deklaroi Copa-Cogeca. Organizata vlerëson se buxheti do të shkurtojë me 15% financimin për Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, pa llogaritur ende efektin e inflacionit, duke i lënë bujqësisë pjesën më të vogël që ka pasur ndonjëherë në buxhetin e bllokut. Këto shkurtime mund të rrezikojnë jetesën e fermerëve dhe sigurinë ushqimore, deklaroi për Euronews presidenti i Shoqatës së Fermerëve të Irlandës, Francie Gorman.

Propozimi buxhetor prej 1.58 trilionë eurosh (1.74 trilionë dollarë) i Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, për periudhën 2028-2034, shkurton me 204 miliardë euro planin fillestar të Komisionit, me çmimet aktuale. Ai parashikon më shumë se trefishimin e fondeve për mbrojtjen në terma realë dhe ndarjen e 15.6 miliardë eurove për transportimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake në të gjithë bllokun.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje në negociata është bërë propozimi për një kredi prej 45 miliardë eurosh të BE-së për Kievin, ku përfshihen 25 miliardë euro ndihmë ushtarake. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërcënuar se do të bllokojë marrëveshjen për buxhetin, nëse të 27 vendet anëtare nuk e mbështesin kredinë. Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria po kërkojnë të përjashtohen nga kjo skemë. Bullgaria deklaroi se do të mbështesë vetëm ndihmën civile. Kryeministri sllovak Robert Fico e cilësoi kërkesën e Berlinit si një “rast tipik shantazhi”.
Protesta e së enjtes pasoi një tubim të organizuar nga sindikatat të hënën, kur rreth 50 mijë persona marshuan nëpër Bruksel kundër planeve të masave shtrënguese. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji pasi pranë stacionit Brussels-Midi shpërthyen përplasje.
Liderët e BE-së janë “vite dritë larg” arritjes së një marrëveshjeje, deklaroi të enjten kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Sindikata kryesore e fermerëve në Francë ka njoftuar se do të bëjë thirrje për një tjetër protestë më 17 dhjetor, nëse negociatat nuk marrin parasysh shqetësimet e fermerëve.