Vendosja e një mozaiku kushtuar Nënë Terezës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me sipërfaqe rreth 33 m² dhe e projektuar për t’u vendosur në murin e jashtëm të ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, ka shkaktuar përplasje institucionale pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për ndalimin e punimeve.
Komuna e Prishtinës, përfaqësuar nga kryetari Përparim Rama, thotë se kishte dhënë lejen për vendosjen e mozaikut si institucioni kompetent për lëshimin e lejeve për hapësirat publike në kryeqytet. Rama ka kritikuar ndërhyrjen e policisë, duke kërkuar që të identifikohet personi që dha urdhrin dhe të publikohet vendimi mbi të cilin u veprua, për të cilin sipas tij pretendimi ishte se urdhri kishte ardhur “nga lart”.
Ministria e Ekonomisë kundërpërgjigjet se ishte ajo që njoftoi Policinë për ndalimin e punimeve, duke akuzuar Komunën për ndërhyrje të paautorizuar në objektin e saj dhe mosrespektim të vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve. Ministria pretendon se më 28 shtator Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës kishte dhënë pëlqimin për realizimin e projektit, megjithëse objekti nuk është në pronësi ose nën menaxhimin e Komunës, dhe se dokumenti konsiderohet i kundërligjshëm pasi nuk ishte nënshkruar nga drejtori përkatës dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse.
Sipas kronologjisë së Ministrisë, më 20 nëntor përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kishin hequr banerin informues nga ndërtesa e Ministrisë duke shkaktuar dëme materiale dhe pa marrë masa të nevojshme sigurie. Edhe pse Prokuroria kishte urdhëruar pezullimin e punimeve, sipas Ministrisë përfaqësuesit e Komunës u paraqitën sërish më 27 nëntor rreth orës 06:00 me vinç për të vazhduar punimet.
Ministria thekson se nuk kundërshton përmbajtjen e veprës artistike, por i kundërvihet mënyrës së veprimit të Komunës: kontraktimit përmes tretëve, mungesës së komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmit të shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore dhe mosrespektimit të vendimeve të organeve kompetente. Ajo i ka kërkuar Komunës të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundim të hetimeve dhe vendimin përfundimtar gjyqësor.

