E premte, 27 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Ekonomi

A do ta luftojë ish-kreu i Antikontrabandës, Fatjon Shehu, rrjetin e korrupsionit të kontrabandistit Mario Berberi, tani që është nr. 1 i Doganave?

Mesa duket, gjatë katër viteve si shef i Antikontrabandës, Fation Shehu nuk paska pasur kompetencat e duhura për të hetuar aktivitetin e biznesmenit Mario Berberi, të skeduar për kontrabandë në Doganën e Kapshticës.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, më 20 nëntor, Fation Shehu u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, ndërsa katër ditë më vonë u prezantua para administratës doganore nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili i vlerësoi punën katërvjeçare si drejtues i Antikontrabandës.

Pikërisht nga ajo detyrë, Fation Shehu duhet ta njohë mirë aktivitetin tregtar të biznesmenit të Devollit, Mario Berberi, të arrestuar për kontrabandë, bashkë me tre doganierët e Kapshticës, Floben Guxho, Klodian Nastimi dhe Renato Molla.

Më 1 nëntor 2026, kur Fation Shehu ishte ende në krye të Antikontrabandës, Pamfleti publikoi një denoncim për aktivitetin e Mario Berberit me kompanitë “Best Price”, “Lele” dhe “Kleo”, të cilat, sipas burimeve, biznesmeni i Devollit i kontrollon nëpërmjet prestanomeve.

Në denoncimin e adresuar institucioneve ligjzbatuese përmenden edhe subjektet “Nurce”, “Shpëtim Ahmetaj” dhe kompania greke “Astor Hellas”, për transaksionet tregtare dhe dyshimet për manipulimin e faturave të mallrave që importohen nga Greqia nëpërmjet Doganës së Kapshticës.

Sipas informacioneve të siguruara nga Pamfleti, skema e evazionit fiskal konsiston në uljen artificiale të vlerës së mallrave të importuara, ndryshimin e faturave dhe deklarimin e sasive të pasakta, duke pakësuar detyrimet që kompanitë importuese duhet t’i paguajnë shtetit shqiptar.

Mesa duket, gjatë katër viteve si shef i Antikontrabandës, Fation Shehu nuk paska pasur kompetencat e duhura për të hetuar aktivitetin e biznesmenit Mario Berberi, të skeduar për kontrabandë në Doganën e Kapshticës.

Tani që është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe ka nën komandë të gjitha strukturat e kontrollit e të hetimit doganor, a do ta luftojë rrjetin e korrupsionit që Mario Berberi ka ngritur prej vitesh në Doganën e Kapshticës, me tentakula deri në administratën qendrore të Doganave në Tiranë?

Prova e parë për Fation Shehun janë faturat e kompanisë greke “Astor Hellas”, krahasimi i tyre me deklarimet doganore të kompanive që kontrollon Berberi sipas burimeve dhe verifikimi i doganierëve që dyshohet se figurojnë në listëpagesat mujore të biznesmenit të Devollit.

Për të zbardhur këtë aferë, drejtori i ri i Doganave duhet të nisë kontrollin nga faturat origjinale të kompanisë “Astor Hellas” S.A., me seli në Sindos të Selanikut, e cila ushtron aktivitet në tregtinë me shumicë të produkteve ushqimore, kozmetike, detergjentëve dhe artikujve të higjienës personale.

A përputhen faturat që kompania greke u ka lëshuar subjekteve shqiptare me faturat që këto subjekte kanë dorëzuar për zhdoganim në Kapshticë? Sa është vlera e mallrave të shitura nga kompania greke dhe sa është vlera e deklaruar në doganat shqiptare?

Edhe drejtuesit e kompanisë “Astor Hellas” duhet të sqarojnë nëse kanë dijeni për dyshimet e manipulimit të faturave të mallrave të tyre në Shqipëri dhe nëse janë kontaktuar ndonjëherë nga administrata doganore shqiptare për verifikimin e tyre.

Aq më i rëndë është informacioni i burimeve nga brenda administratës doganore, sipas të cilave Mario Berberi ka në listëpagesat mujore disa doganierë të Kapshticës, të cilët shpërblehen për lehtësimin e aktivitetit të tij tregtar dhe shmangien e kontrolleve.

Në investigimin e muajit gusht 2026, burimet e Pamfletit denoncuan edhe marrëdhëniet e dyshuara financiare të Mario Berberit me ish-drejtorin e Doganës së Kapshticës, Dritan Çekani, si dhe shpërndarjen e parave të “kafeve” mes drejtuesve të doganës lokale dhe zyrtarëve të administratës qendrore në Tiranë.

Gjatë kohës kur janë denoncuar këto pazare, në krye të strukturës që kishte për detyrë të luftonte kontrabandën ishte pikërisht Fation Shehu.

Tashmë, ish-shefi i Antikontrabandës ka nën komandë edhe strukturat e kontrollit pas zhdoganimit, të cilat kanë kompetencë ligjore të rishikojnë deklaratat doganore, të kontrollojnë dokumentacionin financiar e tregtar të importuesve dhe të nxjerrin detyrimet e papaguara ndaj shtetit.

A do të urdhërojë Fation Shehu kontrollin e faturave të kompanisë greke “Astor Hellas”, të importeve të kompanive të lidhura me Mario Berberin dhe të doganierëve që kanë administruar zhdoganimin e mallrave të tyre?

Ministri i Financave, Petrit Malaj, e promovoi Fation Shehun për përvojën në luftën kundër kontrabandës. Rasti i Mario Berberit dhe faturave greke është një mundësi konkrete për të parë rezultatet e asaj përvoje katërvjeçare. /Pamfleti

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *