Sipas të dhënave që ka siguruar “Pamfleti”, AZHBR-ja raportoi rreth 94 milionë euro pagesa për fermerët, ndërsa ata morën rreth 63 milionë. Si e shpjegon drejtoresha diferencën?
Sipas burimeve të “Pamfletit”, emri i drejtoreshës së AZHBR-së, Ardita Kuçi, figuron në 1.211 procedura me vlerë 128 milionë euro në materialet që OLAF-i u ka përcjellë autoriteteve shqiptare për fondet IPARD. Burimet e lidhin Kuçin me hartimin e kontratave dhe raporteve që, sipas tyre, pasqyronin si të kryera pagesa që fermerët nuk i kishin marrë.
Pas fondeve të BE-së, pikëpyetjet shtrihen te paratë që qeveria i dha AZHBR-së nga buxheti i shtetit për fermerët dhe investimet në bujqësi. Sipas të dhënave që “Pamfleti” ka siguruar nga burime në Ministrinë e Financave, agjencia mori 64,7 milionë euro në vitin 2025 dhe 52,3 milionë euro në vitin 2026, gjithsej 117 milionë euro.
Sipas të njëjtave burime, auditimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ministrisë së Financave evidentuan mospërputhje mes pagesave që AZHBR-ja raportonte dhe shumave që kishin marrë fermerët.
Për vitin 2025, dokumentacioni i agjencisë pasqyronte 51 milionë euro pagesa për fermerët. Sipas të dhënave që disponon “Pamfleti”, ata morën rreth 34 milionë euro. Diferenca arrin në rreth 17 milionë euro.
Për periudhën janar deri më 31 tetor 2026, raportet e AZHBR-së shënonin rreth 43 milionë euro pagesa për fermerët, ndërsa të dhënat e siguruara nga “Pamfleti” tregojnë se ata morën rreth 29 milionë euro. Këtë herë, diferenca arrin në rreth 14 milionë euro.
overlay-clevercloseLogo
Pikëpyetjet nisin që në muajt e parë të drejtimit të Kuçit. Sipas materialeve të auditimit që citojnë burimet e “Pamfletit”, kur ajo mori detyrën në shtator 2024, AZHBR-ja kishte ende 11,5 milionë euro të destinuara për fermerët. Sipas këtyre materialeve, agjencia e përdori atë shumë gjatë periudhës tetor deri në dhjetor 2024 për zëra që i klasifikoi si shpenzime administrative.
Në dokumentacionin e agjencisë figurojnë këta zëra shpenzimesh:
· Mbështetje për zonat rurale, agroturizmin, bizneset e vogla dhe krijimin e vendeve të punës.
· Përmirësim i standardeve të përpunimit dhe ruajtjes së produkteve bujqësore e blegtorale.
· Mbështetje për fermerët përmes skemës kombëtare, me financime për sera, stalla, pajisje përpunimi, fidanë, plehra kimike, pesticide, mjete bujqësore, shpendë dhe bagëti.
· Rimbursim i naftës për bujqësinë, grante dhe investime në ferma të mesme e të mëdha.
· Pagesa për reklama, për individë që sipas burimeve nuk ishin fermerë, për programe kompjuterike të AZHBR-së dhe për ekspertë të jashtëm që këshillonin fermerët për aplikimet dhe administrimin e fondeve.
Në fund të vitit 2024, fermerët denoncuan devijimin e fondeve të AZHBR-së. Një vit më vonë, me Aktin Normativ nr. 11, datë 19 dhjetor 2025, qeveria i shtoi agjencisë 21 milionë euro për skemat mbështetëse 1 deri në 8 të vitit 2025. Agjencia duhej t’ua shpërndante këto para fermerëve brenda dhjetorit.
Burimet e “Pamfletit” pretendojnë se AZHBR-ja përdori një pjesë të fondit shtesë për shpenzime administrative. Mes zërave që përmendin janë 26 milionë lekë për rimobilimin e zyrës dhe 39 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit. Dokumentet e pagesave duhet të sqarojnë nëse agjencia i mbuloi këto shpenzime pikërisht nga fondi shtesë për fermerët.
Gjatë drejtimit të Kuçit, numri i punonjësve të AZHBR-së u rrit nga 220 në vitin 2024 në 253, ndërsa agjencia ka edhe 27 vende të lira pune.
Pyetja që AZHBR-ja duhet të sqarojë është konkrete. Ku përfunduan rreth 31 milionë eurot që ndajnë pagesat e raportuara nga shumat që, sipas të dhënave të “Pamfletit”, morën fermerët?/Pamfleti




























