Turqia ka shpenzuar rreth 690 milionë dollarë për organizimin e samitit të klimës COP31 të Kombeve të Bashkuara në Antalia, i cili përfundoi pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes pjesëmarrësve.
Sipas Bloomberg, duke cituar burime të njohura me kostot e organizimit, rreth 470 milionë dollarë u shpenzuan për ndërtimin dhe mobilimin e ambienteve ku u zhvillua samiti, si dhe për organizimin e konferencës.
Ndërkohë, kur përfshihen edhe investimet për ndërtimin e rrugëve, sistemimin e hapësirave dhe shpenzimet e institucioneve të tjera shtetërore, fatura totale arriti në rreth 35 miliardë lira turke, ose afërsisht 690 milionë dollarë.
Shifrat janë bërë publike pas përfundimit të konferencës, e cila pavarësisht investimit të konsiderueshëm financiar, nuk arriti të prodhonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse për çështjet klimatike.
