“Njerëzit mund të bëhen të panevojshëm”, patriarku rus lidh inteligjencën artificiale me Apokalipsin Kompania OpenAI ka ngritur kundërpadi ndaj Apple në një gjykatë federale në Kaliforni, duke e akuzuar gjigantin e teknologjisë për përvetësim të sekreteve tregtare dhe pengim të bashkëpunimit të saj me furnitorët e pajisjeve elektronike.
Padia vjen pasi Apple kishte nisur më herët një proces gjyqësor ndaj OpenAI, duke pretenduar se kjo e fundit kishte përfituar informacione konfidenciale përmes punësimit të ish-punonjësve të kompanisë.
Në kundërpadinë e saj, OpenAI pretendon se Apple ka përdorur ndikimin e saj në treg për të ushtruar presion ndaj furnitorëve që bashkëpunojnë me kompaninë që zhvillon ChatGPT. Sipas pretendimeve të OpenAI, disa furnitorë janë përpjekur të shmangin bashkëpunimin me të nga frika e humbjes së marrëdhënieve tregtare me Apple.
OpenAI gjithashtu pretendon se një ish-punonjës i saj, i cili ishte larguar për t’u rikthyer në Apple, kishte marrë informacione konfidenciale lidhur me planet për pajisjet e reja dhe projektet e ardhshme të kompanisë.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, bëhet fjalë për materiale që përfshijnë imazhe të pajisjeve ende të papublikuara, të dhëna inxhinierike, informacione mbi prodhimin dhe marrëdhëniet me furnitorët.
Një tjetër pikë e kundërpadisë lidhet me marrëveshjet e punësimit të Apple. OpenAI pretendon se disa prej klauzolave të kontratave kufizojnë lëvizjen e punonjësve drejt kompanive konkurruese dhe vështirësojnë rekrutimin e inxhinierëve.
Nga ana tjetër, Apple i ka cilësuar pretendimet e OpenAI si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga padia e saj fillestare. Kompania ka deklaruar se çështja lidhet me marrjen dhe përdorimin e informacionit të saj konfidencial nga punonjës të larguar.
Përplasja ligjore mes dy kompanive nisi në korrik 2026, kur Apple paditi OpenAI dhe dy ish-punonjës të saj, duke pretenduar se kishin marrë informacione sekrete për zhvillimin e produkteve dhe zinxhirin e furnizimit.
Konflikti është përshkallëzuar në një periudhë kur OpenAI po përgatitet të zgjerohet në tregun e pajisjeve elektronike për konsumatorët, ku Apple ka një prani të konsoliduar.
Top Channel