Përplasjet mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për financimin e Ukrainës po thellohen, ndërsa Brukseli po përpiqet të sigurojë miliarda euro shtesë për ta mbështetur Kievin në luftën kundër Rusisë. Në qendër të mosmarrëveshjeve është një paketë e re financiare prej 45 miliardë eurosh.

Sipas të dhënave të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, vendet e BE-së kanë ndarë gjithsej 200.5 miliardë euro për Ukrainën nga fillimi i pushtimit rus deri në fund të gushtit 2026. Prej tyre, 100.7 miliardë euro janë dhënë përmes ndihmës së drejtpërdrejtë, ndërsa 99.8 miliardë euro përmes mekanizmave të përbashkët evropianë.


Nga kjo shumë, Kroacia ka kontribuar me gjithsej 784.5 milionë euro. Prej tyre, 374.7 milionë euro janë ndarë përmes ndihmës dypalëshe, ndërsa 409.8 milionë euro përfaqësojnë pjesën e saj në programet e përbashkëta të Bashkimit Evropian, shkruan index.hr.

Mosmarrëveshjet janë thelluar pas paralajmërimit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, se mund ta bllokojë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së nëse të gjitha vendet anëtare nuk marrin pjesë në financimin e Ukrainës. Në anën tjetër, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia kundërshtojnë përfshirjen në skemën e re të financimit.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka mbështetur vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, duke theksuar se financimi bëhet përmes buxhetit të përbashkët evropian. Megjithatë, pjesëmarrja e Kroacisë në pagesën e interesave të kredisë së re mund t'i kushtojë vendit nga 10 deri në 14 milionë euro në vit.

Ndërkohë, Ukraina përballet me mungesë të madhe financimi për vitin 2027. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, vendit i nevojiten rreth 70 miliardë euro shtesë, prej të cilave 30 miliardë për funksionimin e shtetit dhe 40 miliardë për mbrojtjen. Pa këto mjete, Kievi mund të ketë vështirësi në pagesën e pagave, pensioneve dhe financimin e ushtrisë.

Mbështetja financiare e SHBA-së është zvogëluar ndjeshëm, duke e bërë BE-në burimin kryesor të financimit për Ukrainën. Ndërkohë, liderët evropianë pritet t'i vazhdojnë diskutimet për paketën e re në samitin e dhjetorit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për ndarjen e barrës financiare mes vendeve anëtare. /Telegrafi/