“Ju flet Tirana!”, 88 vjet nga themelimi i Radio Tiranës, zëri që prej vitit 1938 përcjell historinë e kombit

Aktualitet | 1 minutë më parë

Radio Tirana shënon sot 88-vjetorin e themelimit, duke mbetur një prej simboleve më të qëndrueshme të identitetit mediatik shqiptar, një vatër e traditës, profesionalizmit dhe zërit publik.

Më 28 nëntor 1938, në ditën e Pavarësisë, Radio Tirana nisi transmetimet e para, duke u kthyer ndër vite në një nga institucionet më të rëndësishme të medias shqiptare dhe në një kronikë të përditshme të jetës së kombit.

Historia e saj nisi me përpjekjet për hapjen e radios që në vitin 1937, si një nismë e mbretit Zog I. Projekti u konkretizua në tetor të vitit 1938, kur Gjergj Bubani u ngarkua me detyrën për të krijuar dhe drejtuar ekipin që do të merrej me ngritjen dhe funksionimin e saj.

Përgatitjet u zhvilluan në një kohë të shkurtër. Me mbështetjen e familjeve tiranase dhe dhuratave të shqiptarëve të Amerikës, u siguruan disqet e para muzikore, mes të cilave edhe Himni i Flamurit.

Në orën 08:00 të 28 nëntorit 1938, mikrofoni i Radio Tiranës u hap për herë të parë. Transmetimi nisi me Himnin e Flamurit, i cili u dëgjua në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit. Më pas, zëri i Gjergj Buban it përshëndeti dëgjuesit me fjalët që do të mbeteshin historike: “Ju flet Tirana!”

Pas prezantimit, fjalën e mori mbreti Zog, ndërsa atmosfera festive vijoi me marshe muzikore dhe këngë patriotike. Transmetimi i parë zgjati dy orë e gjysmë dhe u mbyll nga Viktori Xhaçka me njoftimin se programi do të vijonte në orët e mbrëmjes.

Që prej atij momenti, Radio Tirana nisi rrugëtimin e saj, duke dokumentuar përmes zërit ngjarjet, zhvillimet dhe historinë e Shqipërisë. Tetëdhjetë e tetë vite më pas, ajo vijon të jetë pjesë e kujtesës kolektive dhe një dëshmi e rëndësishme e historisë së transmetimeve radiofonike në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme