Ushtria izraelite ka njoftuar vrasjen e dy personave që punonin për organizatën humanitare “Mjekët pa Kufij” (MSF), gjatë një sulmi në Rripin e Gazës, duke i cilësuar ata si terroristë. Deklarata ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të organizatës, e cila është shprehur e tronditur dhe e indinjuar për humbjen e dy punonjësve të saj.
Në një njoftim të publikuar në Telegram, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se kishin goditur dhe vrarë dy persona në qytetin e Gazës, të cilët, sipas ushtrisë, punonin gjithashtu për organizatën ndërkombëtare MSF.
Viktimat janë identifikuar si Ahmed Sufian Muhammad Ali Abu Hashirah dhe Muath Yousef Ali Subh. Ushtria izraelite pretendon se ky i fundit ishte komandant artilerie i Hamasit.
Nga ana tjetër, “Mjekët pa Kufij” ka dhënë një version tjetër për ngjarjen. Në një reagim në platformën X, organizata bëri të ditur se të dy viktimat ishin roje të klinikave të saj dhe se u vranë gjatë një sulmi izraelit ndaj një prej objekteve shëndetësore në Gaza.
“Jemi të tronditur dhe të indinjuar nga vrasja e dy kolegëve tanë, të dy roje klinikash, për shkak të një sulmi izraelit në njërën nga klinikat tona në Gaza”, thuhet në reagimin e organizatës.
Me vdekjen e dy punonjësve, numri i personelit të “Mjekëve pa Kufij” që kanë humbur jetën në Rripin e Gazës ka shkuar në 17.
Ngjarja vjen në një kohë kur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i hyrë në fuqi më 10 tetor 2025, vijon të shoqërohet me akuza të ndërsjella për shkelje të marrëveshjes.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të kontrolluar nga Hamasi, që nga fillimi i armëpushimit janë vrarë më shumë se 1,650 palestinezë. OKB-ja i konsideron këto shifra të besueshme.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka raportuar tetë viktima nga radhët e saj gjatë kësaj periudhe, mes tyre shtatë ushtarë dhe një kontraktor të Ministrisë së Mbrojtjes.
