E shtuna do të karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas parashikimit meteorologjik, vendi do të përfshihet nga reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, të cilat në disa zona do të shoqërohen me shtrëngata, stuhi dhe shkarkesa elektrike.
Reshjet pritet të nisin që në orët e para të mëngjesit dhe të vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, duke bërë që moti të mbetet i paqëndrueshëm gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë, në zonat veriore dhe verilindore, në lartësitë mbi 1200 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore, me intensitet të ulët.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi rreth 8 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, shpejtësia e saj pritet të arrijë deri në 20 m/s.
Edhe në det pritet të ketë lëvizje të dallueshme të valëve, me forcë që parashikohet të variojë nga 3 deri në 5 ballë.

