Në 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët, duke vënë në qendër simbolin kombëtar që përfaqëson historinë, identitetin dhe dashurinë për atdheun.
Përmes një mesazhi simbolik, Peleshi rikthen në vëmendje shqiponjën dykrenare, si një shenjë që bashkon shqiptarët dhe kujton sakrificat e brezave që luftuan për liri.
“Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj”, shkruan Kryetari Peleshi, duke e lidhur simbolin tonë kombëtar me historinë e brezave që luftuan për liri, sakrificat e tyre dhe krenarinë që trashëgojmë brez pas brezi.
Në mesazhin e tij, Peleshi thekson rëndësinë e kujtesës historike, identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë që i bashkon shqiptarët. Një apel për të mos harruar rrënjët dhe për të vijuar përpara me dinjitet, duke ruajtur të gjallë dashurinë dhe krenarinë për Shqipërinë.
Urimi shoqërohet edhe me një vepër arti të realizuar në xham nga mjeshtri Vasil Dhiamandi. Përmes talentit dhe mjeshtërisë së tij, shqiponja dykrenare merr jetë në një krijim artistik që përcjell simbolikën e historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

