Një 33-vjeçar nga Milano ka përfunduar një aventurë të jashtëzakonshme, duke përshkuar rreth 16 mijë kilometra me biçikletë nga Italia deri në Japoni. Federico Pagano mbërriti në Tokio më 16 nëntor, pikërisht në ditëlindjen e tij, pas 207 ditësh udhëtim.
I nisur më 25 prill nga Milano, Pagano kaloi nëpër Turqi, Gjeorgji, Kazakistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Kirgistan dhe Kinë. Më pas udhëtoi me traget drejt Koresë së Jugut, ku përshkoi itinerarin nga Seuli në Busan, përpara se të vazhdonte drejt Japonisë.
Mbërritja në Tokio ishte një moment tepër emocionues për të. Në fund të udhëtimit, pranë Kullës së Tokios, e prisnin vëllai, miq dhe ndjekës që e kishin shoqëruar virtualisht gjatë aventurës.
Në një intervistë për Tgcom24, italiani tregoi se gjatë rrugës përjetoi mikpritjen e banorëve në vende të ndryshme, të cilët shpesh i ofronin ushqim, ujë dhe strehim. Në Azinë Qendrore, veçanërisht në Uzbekistan, Kazakistan dhe Kirgistan, familje të panjohura e pritën në shtëpitë e tyre.
“Është një udhëtim që më ka ndryshuar jetën. Më ka dhënë një këndvështrim tjetër për botën”, u shpreh Pagano, duke theksuar se udhëtimi me biçikletë i dha mundësinë të lidhej drejtpërdrejt me njerëzit dhe të njihte nga afër vendet ku kalonte.
Ai veçoi Kinën si zbulimin më të bukur të aventurës, duke përmendur historinë, infrastrukturën dhe mikpritjen e njerëzve. “Nuk jam ndier kurrë vetëm. Njerëzit janë të gatshëm të të ndihmojnë dhe duan të dinë kush je dhe nga vjen”, tregoi ai.
Megjithatë, udhëtimi nuk ka kaluar pa momente të vështira. Në disa zona të Kinës, veçanërisht në rajonin e Xinjiangut, u përball me kontrolle të shpeshta policore, ndërsa në Turqi përjetoi një natë të pazakontë në shtëpinë e një të panjohuri, ku situata e bëri të ndihej i pasigurt.
Për aventurën kishte planifikuar një buxhet prej 3 mijë eurosh, por në fund shpenzimet arritën në rreth 6 mijë euro, përfshirë ushqimin, akomodimin, vizat, fluturimin dhe tragetet.
Tashmë, Pagano planifikon të vazhdojë udhëtimet me biçikletë, duke nisur me eksplorimin e Japonisë nga veriu në jug. “Ajo që marr me vete nga kjo aventurë është se më ka bërë të shoh anën e mirë të botës dhe të njerëzve”, përfundoi ai.