Qindra punonjës policie, përfshirë edhe efektivë të reparteve speciale, janë vendosur në terren në qytetin e Vlorës në zbatim të një plani të shtuar masash sigurie me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.
Dhjetëra automjete dhe efektivë të rendit janë pozicionuar në çdo kryqëzim, duke mbuluar të gjithë segmentin nga hyrja e qytetit deri në Sheshin e Flamurit, vendi ku pritet të mbahet ceremonia zyrtare.
Ky angazhim i shtuar i strukturave të sigurisë vjen në prag të nisjes së aktiviteteve shtetërore, ku parashikohet pjesëmarrja e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme.
Në qytetin bregdetar ndodhet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili po monitoron drejtpërdrejt nga Sheshi i Flamurit ecurinë e situatës dhe zbatimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e ceremonisë së 28 Nëntorit.













