BOKS/ Labinot Xhoxhaj nuk njeh rivalë, mbron titullin evropian në peshën e rëndë
Boksieri nga Kosova, Labinot Xhoxhaj, ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, duke mbrojtur me sukses titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë.
Xhoxhaj triumfoi ndaj italianit Eduardo Giustini në një përballje të zhvilluar të premten në mbrëmje, në arenën “Europa-Park” të qytetit Rust, në Gjermani.
Ndeshja, e organizuar nën kujdesin e Unionit Evropian të Boksit (EBU), u vendos pas 12 raundeve. Fitorja i takoi boksierit nga Kosova me vendim unanim të gjyqtarëve, të cilët vlerësuan paraqitjen e tij me pikë në favor.
Me këtë sukses, Xhoxhaj konfirmon edhe një herë statusin e tij si kampion i Evropës në peshën e rëndë.
Ai e kishte fituar titullin në nëntor të vitit 2024, pas fitores ndaj ukrainasit Oleksandr Zakhozhyi, ndërsa më pas e kishte mbrojtur edhe në përballjet me Mourad Aliev dhe Pezhman Seifkhanin.
Rezultati i gjyqtarëve: 118-109, 118-109 dhe 120-108, të gjitha në favor të boksierit kosovar.




