Në një ditë që duhet të simbolizojë bashkimin, lirinë dhe krenarinë kombëtare, Sheshi i Flamurit në Vlorë është rrethuar nga masa të forta sigurie. Asnjë hapësirë e lirë për qytetarët, ndërsa në shesh janë lejuar të qëndrojnë vetëm fëmijë të përzgjedhur nga shkollat, të cilët po performojnë me valle dhe kostume tradicionale.
Rreth 500 efektivë policie janë angazhuar në terren, ndërsa kordoni i sigurisë shtrihet në një gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash, duke nisur nga shkolla Ali Demi deri te vendi i njohur si “Kapelja”, përpara Monumentit të Pavarësisë.
Në shesh ndodhen vetëm nxënës të përzgjedhur, të veshur me kostume tradicionale, ndërsa mediat janë zhvendosur në një cep të largët, ku, sipas raportimeve, nuk u krijohen kushtet e nevojshme për të ushtruar lirisht detyrën e tyre.
Një festë kombëtare që duhet të jetë e hapur për të gjithë shqiptarët, por që këtë vit në Vlorë po shoqërohet me masa të jashtëzakonshme sigurie, kufizim të lëvizjes së qytetarëve dhe hapësirë të kufizuar për mediat.
Ndërkohë qytetarët kanë protestuar kundër këtyre masave, duke u shprehur se sheshi është i tyre dhe duke brohoritur: Poshtë diktatura!
