Sot 28-nëntori, Veliaj: Do doja të isha në Sheshin Skënderbej për të ngritur lart Flamurin Kuqezi
🇬🇧 Read in EnglishKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë një mesazh urimi për festën e Pavarësisë nga qelia, duke shprehur dëshirën për të qenë i pranishëm në Sheshin Skënderbej në këtë 28 Nëntor.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj ka ndarë edhe një video nga kryeqyteti, ku shfaqen Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshi Skënderbej të zbukuruar me flamuj kuqezi, në atmosferën e festimeve të Ditës së Pavarësisë.
Në mesazhin e tij, kryebashkiaku shprehet se do të dëshironte të ishte mes qytetarëve për të ngritur flamurin kombëtar dhe për të nderuar ata që sakrifikuan jetën për Shqipërinë.
“Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit! Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.
Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut! Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!”, shkruan Veliaj.
Mesazhi i tij vjen në një 28 Nëntor kur Tirana është përfshirë edhe nga zhvillime të tjera, mes tyre protesta kombëtare e paralajmëruar në Sheshin Skënderbej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



