Paris Saint-Germaini ka bërë një tjetër lëvizje për të mësuar mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas Julian Alvarez nga Atletico Madridi.
Sipas TEAMtalk, kampionët e Evropës kanë kontaktuar sërish përfaqësuesit e klubit madrilen, pasi po kërkojnë përforcime në repartin ofensiv para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
Në garë për sulmuesin 25-vjeçar është edhe Arsenali, i cili prej kohësh e përcjell situatën e tij dhe mbetet i interesuar për shërbimet e ish-futbollistit të Manchester Cityt.
Megjithatë, Atletico Madridi nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e Alvarezit gjatë afatit kalimtar të janarit. Edhe vetë futbollisti nuk po kërkon largimin nga kryeqyteti spanjoll.
Trajneri Diego Simeone dëshiron ta mbajë argjentinasin në skuadër, sidomos pas formës së mirë që ka treguar së fundmi. Në 10 paraqitjet e fundit, Alvarez ka realizuar gjashtë gola dhe ka dhuruar katër asistime.
Kështu, një transferim në janar duket shumë i vështirë, ndërsa interesimi i PSG-së dhe Arsenalit mund ta rikthejë emrin e Alvarezit në qendër të merkatos verore.