Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar shqiptarët me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, duke rikonfirmuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes Uashingtonit dhe Tiranës.

Në mesazhin e tij, kreu i diplomacisë amerikane vlerëson marrëdhëniet e konsoliduara mes dy vendeve, të mbështetura në sigurinë kolektive, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve.

Rubio shpreh gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme, ndërsa një vëmendje të veçantë i kushton luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Sekretari amerikan thekson rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar kartelet e trafikut të drogës, grupet kriminale transnacionale dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Një tjetër pikë e mesazhit është siguria kibernetike. Rubio vlerëson bashkëpunimin dypalësh në përballimin e kërcënimeve kibernetike dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë në këtë fushë.

Mesazhi i plotë i Marco Rubios:

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike.

Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”.