Një ngjarje e rëndë në një klinikë psikiatrike në Zagreb ka tronditur opinionin publik në Kroaci, duke nxitur protesta, hetime penale dhe denoncime të shumta për keqtrajtimin e pacientëve.

Kristian Josip Perish, një ish-sportist dhe trajner 32-vjeçar, humbi jetën më 21 tetor 2026, teksa po trajtohej në klinikën psikiatrike “Sveti Ivan”, në zonën e Jankomirit.

Ngjarja mori përmasa të mëdha pas publikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, ku pjesëtarë të personelit mjekësor shihen duke ushtruar dhunë fizike ndaj të riut, ndërkohë që ai ishte i lidhur në shtrat. Në një prej momenteve, një punonjës shihet duke i vendosur një jastëk mbi fytyrë.

Publikimi i videos ka hapur një valë denoncimesh. Rreth 70 persona kanë kontaktuar redaksinë e emisionit kroat “RTL Direkt”, duke pretenduar se edhe ata kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike gjatë qëndrimit në të njëjtin institucion.

Disa ish-pacientë kanë vendosur të thyejnë heshtjen dhe të rrëfejnë publikisht përvojat e tyre, duke ngritur dyshime serioze mbi respektimin e të drejtave të pacientëve dhe zbatimin e protokolleve mjekësore.

Në kuadër të hetimeve, katër teknikë mjekësorë janë vendosur në paraburgim, nën dyshimin për vrasje të rëndë të një personi të pambrojtur. Autoritetet po hetojnë gjithashtu rolin e punonjësve të tjerë që ndodheshin në klinikë gjatë ngjarjes.

Sipas avokatit të familjes, provat e mbledhura tregojnë se 32-vjeçari është goditur dhe i është nënshtruar presionit fizik, duke pësuar edhe fraktura në brinjë. Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore.

Vdekja e Perishit ka shkaktuar zemërim të gjerë në shoqërinë kroate. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Zagrebit, ndërsa protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, me kërkesën për drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Skandali ka sjellë edhe dorëheqjen e drejtueses së klinikës, zëvendëses së saj dhe ndihmësit përgjegjës për shërbimin infermieror.

Kontrollet e inspektoratit shëndetësor kanë zbuluar një sërë parregullsish, përfshirë mangësi në dokumentimin e masave të kufizimit fizik të pacientit, vonesa në shqyrtimin e pamjeve filmike dhe në raportimin e ngjarjes tek autoritetet kompetente.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale të personelit mjekësor dhe për të zbardhur rrethanat që çuan në vdekjen e 32-vjeçarit.