Mesha për flamurin, Kryepeshkopi Joan: Detyrë e gjithsecilit që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë
Kryepeshkopi Joan këtë të shtunë ka drejtuar Dhoksologjinë e Flamurit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, në nderim të Ditës së Pavarësisë.
Gjatë fjalës së tij, Kryepeshkopi Joan theksoi rëndësinë e kësaj shërbesë falënderuese si një moment reflektimi për dhuratën e atdheut, përkujtimin e klerikëve dhe laikëve që ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin ndër shekuj, si dhe për përgjegjësinë e përbashkët që kanë qytetarët ndaj vendit.
“Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, Kisha kryen Dhoksologjinë e Flamurit. Kjo është traditë që përsëritet vazhdimisht. Arsyeja pse përsëritet është se ajo ka shumë rëndësi. Dhe shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen dhe zemrën tonë.
Kisha jonë e zhvillon Dhoksologjinë e Flamurit për disa arsye. E para, kjo Dhoksologji është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, i cili i ka të gjitha gjërat.
Ndaj, është detyra jonë që këtë vend ta lulëzojmë.
Së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë klerikët dhe laikët që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpër kohë shumë të ashpra të historisë. Ne u themi atyre të gjithëve, faleminderit.
Dhe e treta, më e rëndësishmja, është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta ndriçojmë. Ne nuk jemi pronarët. “Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të”, thotë psalmisti. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos e duash vendin ku je lindur dhe je rritur. Një njeri që nuk e do Perëndinë, shpeshherë, ka vështirësi për të pasur dashuri edhe për njerëzit.
E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli. Përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një mision shumë të rëndësishëm, që të kujdesej për grigjën e Tij, e pyet tri herë dhe i thotë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E pasi Pjetri i thotë: “Po, Zot, të dua”, Ai i thotë “Kullot shqerrat e mia.”
Kjo do të thotë se, nëse do ta duam Perëndinë, do ta duam mësimin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht ky: Ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë dhe ta duam të afërmin si veten tonë.
Nëse e kemi këtë në zemër, do t’i duam njerëzit, do ta duam vendin tonë. Edhe njerëzit që kanë dashuri do të bëjnë gjithçka për ta ndriçuar dhe lulëzuar vendin e tyre. Le ta kemi gjithmonë ndër mend se ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët, dhe një ditë do të japim llogari.
Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill. “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.”
Prandaj është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin. Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet”, u shpreh kryepeshkopi.
Osmani uron 28 Nëntorin: Katër data historike, një krenari kombëtare
Partia Demokratike Shqiptare: 28 Nëntori, simbol i një historie që nuk është ndërtuar lehtë por me sakrificë
28 Nëntori, Ministria e Jashtme e Ukrainës: Vlerësojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë
- 11:31 Osmani uron 28 Nëntorin: Katër data historike, një krenari kombëtare
- 11:08 Partia Demokratike Shqiptare: 28 Nëntori, simbol i një historie që nuk është ndërtuar lehtë por me sakrificë
- 11:00 28 Nëntori, Ministria e Jashtme e Ukrainës: Vlerësojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë
- 10:55 AKU bllokon mbi 80 ton produkte ushqimore, gjobit edhe dy subjekte
- 10:44 Korça dhe Erseka festojnë 28 Nëntorin, zhvillohen ceremonitë për Ditën e Pavarësisë
- 10:35 Sot protestë kombëtare në Tiranë, nis grumbullimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej” (VIDEO)