Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar mesazhin e tij për 28 Nëntorin, ku krahas urimit për Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë, u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën kombëtare në Tiranë.
Berisha e cilëson 28 Nëntorin si ditën e nderimit të flamurit dhe të sakrificave për liri, ndërsa thekson se këtë festë kombëtare shqiptarët e presin nën atë që ai e quan narkodiktatura e Edi Ramës.
Kreu i PD-së akuzon qeverinë për krijimin e narkoshtetit, farsë zgjedhore, shpopullim të vendit dhe bashkëpunim me Beogradin kundër Kosovës.
Në mesazhin e tij, Berisha e lidh protestën e sotme me betejën politike kundër qeverisë Rama, duke u bërë thirrje qytetarëve të dalin në shesh për t'i dhënë përgjigje regjimit.
Postimi i plotë:
Gëzuar 28 Nëntorin,
DITËLINDJEN E SHQIPËRISË SË PAVARUR.
Sot protestë kombëtare!
Te gjithë ne Shesh!
Miq, sot mbarë kombi, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, feston 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar, ditën e shpalljes, më 28 Nëntor të vitit 1912, nga Ismail Bej Vlora, të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës.
Ndaj sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, 114-vjetorin e saj, ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babanë e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorën, dhe Isa Boletinin e etërit e tjerë të saj. Nderojmë qindra mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor, për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.
Prandaj, të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë: Gëzuar këtë ditë! Përjetësi, zhvillim dhe begati!
Më 28 Nëntor të vitit 1443, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar ngriti Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysmë shekulli e shndërroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë. Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun, dhe luftërat e tij legjendare që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi.
Po këtë datë, 81 vjet më parë, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili, pasi e shndërroi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vëllavrasëse, vendosi në Shqipëri, si Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore, diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.
Por ne e festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës, i cili, në një hark kohor 14-vjeçar, ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe, me politikat e regjimit kleptokratik, po shkreton dhe zbraz më shumë se çdo pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët.
Vetëm drejt zonës Shengen, në 10 vite u larguan 1,1 milion shqiptarë dhe, për këtë, sot ne jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë. Edi Rama është një armik i egër i qenies shqiptare, që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës.
Sot mbarë kombi mblidhet në Tiranë në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe narkodiktaturës së tij.
Le të na frymëzojnë festat e kësaj dite për ta çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i Pashiqit të Tiranës.
Së fundmi, ju të dashur miq, ju urojmë ju dhe mbarë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë!
Nderim për jetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të Pavarësisë!
Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë!
Nderim të gjithë atyre që nderojnë sot me protestën e tyre Flamurin e Kombit!
Gëzuar!
© SYRI.net
VIDEO/ ‘Stop Skavicës dhe centralit të Ulsi Manjës’, dibranët protestojnë në Tiranë në Ditën e Flamurit
Provokimi i policisë, fut zjarrfikësen në sheshin 'Skënderbej'. Qytetarët e përzënë me brohorima: Ik, ik...largohuni patronazhistë
28 Nëntori, hyrje masive të shqiptarëve drejt Shqipërisë në pikën kufitare me Kosovën: Diaspora drejt Tiranës