Situata në Sheshin e Flamurit në Vlorë është tensionuar gjatë ceremonisë zyrtare për 114-vjetorin e Pavarësisë, pasi qytetarët dhe emigrantët nuk janë lejuar të afrohen për të ndjekur nga afër aktivitetin.
Masat e rrepta të sigurisë dhe rrethimi i sheshit kanë shkaktuar pakënaqësi dhe indinjatë, të cilat më pas janë shndërruar në protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë.
Qytetarët e mbledhur për të përkujtuar Ditën e Flamurit kanë kundërshtuar pengimin e hyrjes në shesh, duke brohoritur “Poshtë diktatura!” dhe duke kërkuar të lejohen të marrin pjesë në ceremoninë e Pavarësisë.
Protestuesit kanë tentuar të heqin gardhin metalik të vendosur nga policia, ndërsa efektivët janë përgjigjur me përdorimin e gazit lotsjellës. Përplasjet kanë vijuar, duke tensionuar edhe më tej situatën.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, forca të shumta policie, përfshirë efektivë të pajisur me armatim dhe mjete mbrojtëse, kanë ndërhyrë ndaj qytetarëve që kundërshtonin rrethimin e sheshit.
Mes protestuesve ka edhe shumë shqiptarë të ardhur nga Kosova, të cilët kishin udhëtuar drejt Vlorës për të festuar 28 Nëntorin, por nuk janë lejuar të afrohen në vendin ku u shpall Pavarësia.
“Turp! Nuk ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë, që Sheshi i Flamurit të rrethohet dhe qytetarët të mos lejohen të marrin pjesë në ceremoni”, janë shprehur qytetarët.
Ndërsa Vlora përkujton ditën më të rëndësishme të historisë kombëtare, ceremonia zyrtare është shoqëruar me protesta dhe përplasje, për shkak të kufizimit të aksesit të qytetarëve në Sheshin e Flamurit.





