Kryepeshkopi Joan vijoi traditën që nisi si Mitropolit i Korçës duke kremtuar këtë mëngjes Dhoksologjinë e Flamurit në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Shërbesa fetare i ishte kushtuar Flamurit Kombëtar dhe Atdheut, ku besimtarët u lutën për paqen, mbrojtjen dhe mbarësinë e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kryepeshkopi theksoi tre arsye kryesore për zhvillimin e kësaj Dhoksologjie. E para është falënderimi ndaj Perëndisë për dhuratën e një vendi të bukur, dhe detyra për ta bërë atë të lulëzojë. E dyta është përkujtimi i klerikëve dhe laikëve që, në shekuj e në kohë të vështira, kanë ruajtur besimin, gjuhën dhe identitetin e popullit; për ta, kisha u thotë “faleminderit”. E treta është përgjegjësia për të mbrojtur dhe ndriçuar vendin, duke theksuar se njerëzit janë kujdestarë dhe jo pronarë të tokës — siç theksoi me fjalën e psalmistit, “Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të”.
Ai rikujtoi një episod nga Ungjilli, kur Zoti pyet Pjetrin tri herë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” dhe, pasi Pjetri përgjigjet “Po, Zot, të dua”, i thotë “Kullot shqerrat e mia.” Nga ky pasazh, Kryepeshkopi nxori mësimin se dashuria ndaj Perëndisë duhet të shoqërohet me përkushtim ndaj mësimit të Tij dhe ndaj njerëzve: dashuria për Zotin është e pandashme nga dashuria për vendin dhe për bashkëqytetarët.
Ai u bëri thirrje besimtarëve të mbajnë në zemër rolin e kujdestarit, që një ditë do të japë llogari, dhe të lutem që puna e tyre të njihet nga Perëndia me fjalët e Ungjillit: “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.” Në përmbyllje Kryepeshkopi uroi të pranishmit: “gëzuar dhe për shumë vjet!”, duke rikthyer mesazhin se Shqipëria është e të gjithëve dhe se të gjithë kanë përgjegjësi për ta ndriçuar dhe çuar përpara vendin.
