Traditën që e nisi si Mitropolit i Korçës, Kryepeshkopi Joan po e vijon në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku këtë mëngjes u zhvillua Dhoksologjia e Flamurit. Duke kujtuar ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit, Kryepeshkopi Joan, në fjalën e tij, dha mesazhin për të mbrojtur Atdheun dhe për të lulëzuar vendin që e ka bekuar Perëndia. Është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin. Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet!