Ervis Murra, 37-vjeçari shqiptar që arriti t’u shpëtojë efektivëve italianë pas shkëmbimit të zjarrit në Cavarzere të Venecias, është kthyer në një nga personat më të kërkuar nga autoritetet në Itali.
Shqiptari ka një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë në Itali dhe Shqipëri, ndërsa emri i tij rezulton i përfshirë në disa dosje penale që lidhen me vjedhje, grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.
I lindur më 29 prill 1989, Murra duhet të vuajë më shumë se 12 vite burg, në bazë të dënimeve të dhëna nga drejtësia italiane. Megjithatë, prej kohësh ai ndodhet në arrati.
Ngjarja e fundit ndodhi më 27 nëntor, kur një operacion policor në Cavarzere përfundoi me shkëmbim zjarri, një person të vrarë dhe një tjetër të arrestuar. Murra arriti të largohej nga vendngjarja dhe u zhduk në zonat rurale të Venetos. Në momentin e arratisjes, ai kishte veshur vetëm të brendshme.
Nga Napoli në Dibër, arratisjet dhe dënimet e shqiptarit
Problemet e Murrës me drejtësinë datojnë prej më shumë se një dekade dhe shtrihen në disa qytete italiane.
Në qershor të vitit 2025, ai u identifikua gjatë një kontrolli policor në rrugën Vittorio Emanuele në Napoli. Shqiptari ishte shpallur në kërkim prej tre vitesh, pasi ishte dënuar në shkallë të tretë me shtatë vite burg për grabitje.
Edhe gjatë këtij operacioni ai arriti t’u shpëtonte efektivëve. Dyshohet se pas kësaj ngjarjeje nisi lëvizjen drejt veriut të Italisë.
Një tjetër episod në historikun e tij me drejtësinë daton në vitin 2020, kur u arrestua në zonën e Dibrës, në Shqipëri, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Autoritetet italiane e kërkonin për të vuajtur një dënim prej pesë vitesh burg, të dhënë nga Gjykata e Apelit në Perugia në shtator të vitit 2017.
Në këtë dosje, Murra akuzohej për pjesëmarrje në një grup kriminal të përfshirë në grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.
Ndërkohë, në rajonin e Kampanias, ai ishte akuzuar edhe për shkeljen e masës së arrestit shtëpiak, ndonëse mbahej nën mbikëqyrje përmes një byzylyku elektronik.
Grabitja në mes të natës, nën kërcënimin e armës edhe një fëmijë 10-vjeçar
Një nga ngjarjet më të rënda ku përmendet emri i shqiptarit është grabitja e ndodhur në Perugia, në orët e para të mëngjesit të 7 tetorit 2014.
Tre persona hynë rreth orës 03:00 në një banesë, ku ndodheshin pronarët dhe fëmija i tyre 10-vjeçar. Grabitësit i zgjuan familjarët duke u drejtuar një elektrik dore në fytyrë dhe më pas nxorën armën, duke i detyruar të hapnin kasafortën.
Të kërcënuar, çifti dorëzoi para, bizhuteri dhe çelësat e dy automjeteve luksoze, një BMW dhe një Audi.
Pas grabitjes, autorët u larguan në drejtim të Casertës. Murra u lokalizua më 12 dhjetor të po atij viti. Ai ishte shpallur në kërkim edhe për një tjetër vjedhje banese, për të cilën ishte lëshuar masë sigurie që më 30 qershor.
I përfshirë edhe në dosje të tjera grabitjesh
Emri i 37-vjeçarit është përmendur gjithashtu në një proces gjyqësor në Santa Maria Capua Vetere, në vitin 2018, lidhur me një tentativë grabitjeje në një pikë karburanti në Villa Literno, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.
Dy vite më herët, Murra ishte arrestuar në Mondragone, nën dyshimet për përfshirje në një seri veprash penale në provincën e Casertës. Sipas dosjeve, në shënjestër të këtyre ngjarjeve kishin qenë sipërmarrës të sektorit bujqësor dhe të blegtorisë.
Me disa dënime për të vuajtur dhe një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë, shqiptari kishte arritur t’u shmangej autoriteteve për një kohë të gjatë, duke lëvizur nga jugu drejt veriut të Italisë.
Pas arratisjes së fundit në Cavarzere, policia italiane ka intensifikuar kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

