Aktori i njohur kosovar, Astrit Kabashi, ka arritur një tjetër sukses në karrierën e tij artistike, duke u vlerësuar me çmimin “Bekim Fehmiu” për aktorin më të mirë, në kuadër të Festivalit të Filmit Autorial në Beograd.

Çmimi, i cili është themeluar këtë vit në kryeqytetin serb, iu akordua Kabashit për rolin e tij në filmin “Shame and Money”. Ky vlerësim shënon një moment të veçantë, pasi Kabashi bëhet artisti i parë nga Kosova që e fiton këtë çmim në Beograd.

Një veçori e këtij vlerësimi është se vendimi për përzgjedhjen e laureatit merret nga aktori Uliks Fehmiu, djali i legjendës së kinematografisë, Bekim Fehmiu, emrin e të cilit mban edhe çmimi.

Lajmin për marrjen e çmimit, aktori e ka ndarë edhe me ndjekësit e tij në Facebook, ku ka publikuar një fotografi nga ceremonia e ndarjes së vlerësimit, duke shprehur mirënjohjen për këtë arritje.

“Jam vërtet i nderuar të ndaj me ju lajmin se kam marrë çmimin ‘Bekim Fehmiu’ për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit Autorial”, ka shkruar Kabashi.

Ky vlerësim merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se vjen në një vit kur në Kosovë është shuar një çmim që mbante emrin e Bekim Fehmiut, ndërsa në Beograd është themeluar një tjetër çmim në nder të figurës së tij.

Për Astrit Kabashin, ky çmim përbën një tjetër arritje në karrierën artistike, ndërsa për kinematografinë kosovare është një sukses i rëndësishëm në një festival ndërkombëtar.

Top Channel