Të shtunën shpërthyen përplasjet mes policisë dhe protestuesve në kryeqytetin shqiptar, ndërsa mijëra njerëz kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në protestën e fundit të një serie të gjatë demonstratash kundër qeverisë, raporton gazeta amerikane WASHINGTON POST.
Sipas saj, plicia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur protestuesit.
Shqiptarë nga i gjithë vendi dhe nga jashtë tij udhëtuan drejt Tiranës për të marrë pjesë në tubim, i cili përkoi me 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit, një ditë që zakonisht shënohet me festime kombëtare dhe është ditë pushimi zyrtar, raporton media amerikane.
“Erdha posaçërisht për protestën”, tha Arian Lleshi, 33 vjeç, i cili kishte udhëtuar drejt Tiranës nga Mbretëria e Bashkuar.
“Pse? Sepse kemi vuajtur për shumë kohë. Jemi shpërndarë në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, dhe është thuajse sikur të jemi qytetarë pa shtet. Jemi si qytetarë pa atdhe”.
Protestat u njohën si lëvizja e Flamingove dhe më pas u pasuan nga demonstratat studentore në shtator, shumë prej të cilave përfunduan në dhunë. Studentët kërkonin përmirësimin e arsimit dhe të standardeve të jetesës.
Që atëherë, kërkesa kryesore e protestuesve është zgjeruar dhe përfshin edhe thirrjet për dorëheqjen e Ramës, shkruan WP.
Protestuesit brohorisnin “Dorëheqje!” ndërsa ishin mbledhur në sheshin kryesor të Tiranës, në Sheshin Skënderbej.
“Kemi dalë për të kërkuar të drejtat tona. Na ka ardhur në majë të hundës. Jeta është bërë shumë e vështirë. Po kërkojmë ndryshimin e të gjithë sistemit”, tha studentja Juna Vasili.
Banorja Suzana Gjeta, një pensioniste, tha se po protestonte si në emër të të rinjve, ashtu edhe të njerëzve si ajo, “që jetojnë vetëm me 120 euro në muaj”.
“Shpresojmë që ky sistem të largohet, që Edi Rama të ikë dhe që ky korrupsion të marrë fund”, tha ajo.
© SYRI.net