Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të të lënduarve gjatë protestës së 28 Nëntorit, deri në orën 14:00.
Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tetë persona të lënduar, mes të cilëve një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëra prej tyre shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë të lënduarit janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa po marrin trajtim nga mjekët në shërbimin e urgjencës.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Deri në orën 14:00, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është paraqitur asnjë person i lënduar nga protesta.










