Pensionet rriten 2,95% nga 1 janari 2027 në Austri, nën inflacionin e pritur

Pensionistët në Austri do të përfitojnë rritje të pensioneve prej 2,95% nga 1 janari 2027, por kjo rritje pritet të jetë më e ulët se inflacioni i parashikuar, duke bërë që ata të mos kompensohen plotësisht për rritjen e kostos së jetesës.
Sipas vendimit të autoriteteve austriake, rritja prej 2,95% do të vlejë për pensionistët që marrin deri në 6.930 euro bruto në muaj nga të gjitha pensionet. Për ata që kanë të ardhura pensionale mbi këtë shumë, parashihet një shtesë fikse prej 204,44 eurosh në muaj.
Ndërkaq, personat që përfitojnë pension minimal do të kenë rritje prej 3,3% të kompensimit plotësues (Ausgleichszulage), që synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta.
Edhe kufijtë dhe shumat maksimale të bonusit të pensionit dhe kompensimit plotësues do të përshtaten me 2,95%, transmeton Telegrafi.
Rritja do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa pagesa e parë me shumën e re pritet të bëhet më 29 janar, në datën e rregullt të pagesës së pensioneve.
Vendimi është pjesë e masave buxhetore të qeverisë austriake për periudhën 2027-2028, në kuadër të përpjekjeve për kufizimin e shpenzimeve publike.
Megjithatë, fakti që rritja e pensioneve mbetet nën nivelin e inflacionit të pritshëm nënkupton se pensionistët në Austri do të kenë një rritje nominale të të ardhurave, por fuqia e tyre blerëse mund të mos ruhet në të njëjtin nivel./Telegrafi/



































