UEFA ka parashikuar të akordojë një fond prej katër milionë eurosh për 16 skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të U21, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri e Serbi. Kjo mbështetje financiare është planifikuar të mbulojë jo vetëm fazën finale të turneut, por të shtrihet gjatë gjithë ciklit të kualifikimeve 2025–2027, duke përfshirë fazat përgatitore dhe atë kualifikuese.
Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, çdo federatë që merr pjesë në kualifikueset do të përfitojë nga një pagesë prej 135,000 eurosh, ndërsa kombëtaret që arrijnë të sigurojnë një vend në fazën play-off do të marrin edhe një shtesë prej 25,000 eurosh. Këto shuma janë parashikuar si pjesë e mbështetjes për të lehtësuar koston e pjesëmarrjes së ekipeve gjatë gjithë ciklit kualifikues.
Për fazën finale të kampionatit, UEFA ka marrë përsipër disa shpenzime konkrete që synojnë të mbulojnë nevojat logjistike të delegacioneve. Konkretisht, organizatori evropian do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe transportit për delegacione deri në 35 persona, si dhe do të kontribuojë financiarisht për akomodimin dhe ushqimin e skuadrave gjatë qëndrimit në vendet pritëse. Përveç kësaj, është parashikuar që të ketë bonuse të ndara për pjesëmarrje dhe për rezultatet e arritura nga skuadrat gjatë kompeticionit, si një mënyrë shtesë shpërblyese për performancën në fushë.
Megjithatë, detajet e shpërndarjes së këtij fondi prej katër milionë eurosh nuk janë bërë ende publike në mënyrë të detajuar, dhe nuk është njoftuar shuma përfundimtare që do të përfitojë secila prej federatave pjesëmarrëse. Në Shqipëri, ndeshjet e Euro U21 janë planifikuar të zhvillohen në katër stadiume: “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan, dhe “Loro Boriçi” në Shkodër.

