E shtunë, 28 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Vrasja e Frrok Lleshajt, gjykata lë në burg Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin! Ish-polici dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin, i njohur edhe si Shkambi, të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj.

Lleshaj u ekzekutua me armë zjarri më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Sipas Prokurorisë së Shkodrës, dy të dyshuarit dyshohet se kanë pasur rol në organizimin dhe realizimin e krimit.

Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria paraqiti rezultatet e hetimeve rreth njëvjeçare, ku janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat e komunikimeve telefonike dhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje.

Një prej elementeve të hetimit është edhe dëshmia e një personi që aktualisht ndodhet në burg, i cili ka pretenduar se autorë të vrasjes janë Piroli dhe Ymeri. Ai ka deklaruar se i njeh të dy dhe disponon informacione për përfshirjen e tyre në ngjarje. Megjithatë, deri më tani nuk ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë.

Reklamë

Sipas burimeve pranë hetimit, pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar në gjurmimin e lëvizjeve të të dyshuarve. Ata dyshohet se janë filmuar në disa segmente të itinerarit, nga zona e Fushë-Krujës, ku pretendohet se janë siguruar armët, në rrugën e vjetër Lezhë–Shkodër dhe deri pranë vendit ku ndodhi atentati.

Një nga pistat që po hetohet është ajo e një vrasjeje të porositur, me motiv të mundshëm gjakmarrjen. Sipas të dhënave të hetimit, familja Lleshaj ka qenë e përfshirë më herët në konflikte të rënda, përfshirë një ngjarje me pasojë vdekjen e një personi dhe një tjetër vrasje të ndodhur në Greqi

Në seancë, të dy të dyshuarit kanë mohuar kategorikisht përfshirjen në vrasje. Piroli ka pretenduar se po persekutohet nga drejtësia dhe ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit që e ka përmendur si autor. Ndërsa Ymeri është shprehur se nuk ka lidhje me veprimtari kriminale dhe as me ngjarjen për të cilën po hetohet.

Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar një masë më të butë sigurie, konkretisht “Arrest në shtëpi”. Ata kanë kërkuar gjithashtu ekspertimin e gjendjes psikike të dëshmitarit që ka ngritur pretendimet ndaj dy të dyshuarve.

Frrok Lleshaj kishte vuajtur më parë një dënim prej 25 vitesh burg dhe, dy vite pas lirimit, ishte vendosur në fshatin Paçram, ku merrej me blegtori.

Me vendimin e gjykatës, Vinçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa ndaj tyre rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.