Lajmi i fundit

LIVE - Gaz lotsjellës dhe plumba gome, Rama kthen festën e flamurit në shesh betejë dhune kundër qytetarëve

'Rama po plaçkit vendin me mafien e drogës'/ TV publik gjerman: Mijëra shqiptarë kërkojnë burgosjen e kryeministrit

'Rama po plaçkit vendin me mafien e drogës'/ TV publik gjerman: Mijëra shqiptarë kërkojnë burgosjen e kryeministrit

14:41, 28/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Oliver Soos, ARD

Mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin qendror “Skënderbej” në Tiranë dhe kanë marshuar një kilometër përgjatë bulevardit qendror deri te selia e kryeministrit Edi Rama. Atmosfera është e tensionuar. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen dhe burgosjen e kryeministrit Edi Rama. Ata e akuzojnë atë se po plaçkit Shqipërinë me ndihmën e investitorëve të ndërtimit dhe të mafies së drogës, ndërsa populli vuan nga pagat shumë të ulëta dhe kostot shumë të larta të jetesës.

Dhjetëra të rinj pozojnë të maskuar me shkopinj druri dhe llastiqe gjuajtëse. Ata duken shumë krenarë që marrin pjesë në këtë atmosferë të tensionuar.

Por mes tyre ka edhe shumë studentë, si 23-vjeçari David Hoxha. “Sot është dita e 182-të e protestave dhe sot ato janë veçanërisht të mëdha, sepse sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Studentë janë këtu, intelektualë dhe njerëz nga diaspora. Ne protestojmë për të drejtat tona kundër këtij establishmenti të korruptuar.

Në fillim, protesta ishte kundër projektit të planifikuar të resortit luksoz me hotele në ishullin e Sazanit dhe në bregdetin shqiptar — projektit të dhëndrit të Donald Trump-it, Jared Kushner.

Por kjo ishte vetëm pika që e mbushi kupën. Kemi përjetuar shumë vite korrupsion; Shqipëria është një vend pa ligj. Dhe pastaj shtohen edhe çmimet: ushqime krejt të zakonshme këtu kushtojnë dyfish më shumë se në Itali, Francë dhe Gjermani”.

Protestat kanë qenë herë pas here të dhunshme javët e fundit. Protestues të maskuar kanë hedhur gurë mbi policët dhe u kanë vënë zjarrin zyrave në godinat qeveritare me koktej molotovi. Policia ka reaguar me topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome.  Studenti David Hoxha është kundër dhunës, por për këtë ia hedh fajin qeverisë.

“Kemi protestuar 182 ditë rresht në mënyrë paqësore. Dhe kryeministri Edi Rama na ka injoruar dhe është tallur me ne. Dhe kur nuk ndodh asgjë, atëherë disa mendojnë se duhet ta bëjnë ndryshe.

Natyrisht, këtu nuk bëjnë të gjithë rrëmujë, dhe një pjesë e trazirave inskenohet edhe nga vetë qeveria për të diskredituar protestat — edhe kjo ndodh.

Edi Rama thotë se na ofron dialog, por pastaj ndodhin edhe arrestime arbitrare, njerëz rrihen nga policia sepse Edi Rama e ka urdhëruar këtë”.

Ndryshe nga në Serbi, ku sundimtari afatgjatë Aleksandar Vuçiç u rrëzua nga lëvizja studentore e protestës, në Shqipëri nuk ka një perspektivë politike për të pakënaqurit.

Tani në Shqipëri është themeluar një parti e re studentore, ku bën pjesë edhe David Hoxha.

Megjithatë, një pjesë tjetër e studentëve ka njoftuar tashmë se e konsideron këtë hap të gabuar dhe të parakohshëm. Një vendosmëri e tillë si te studentët serbë nuk ekziston ende në Shqipëri.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco