Festa e Flamurit është festuar sot në çdo qytet të vendit. Në Vlorë, qytetin simbol të kësaj dite, ajo që ra në sy këtë 28 Nëntor ishin masat e shtuara të sigurisë. Forca të shumta të Policisë së Vlorës, të mbështetura edhe nga efektivë të ardhur nga Fieri, krijuan një perimetër të gjerë duke rrethuar Sheshin e Flamurit, ndërsa qytetarët u lanë jashtë këtij perimetri gjatë ceremonive. 114-vjetori i Pavarësisë u përkujtua edhe në Lezhë, ku ceremonia zyrtare u zhvillua pranë obeliskut të “Besëlidhjes” në qendër të qytetit, me ngritjen e flamurit kombëtar dhe vendosjen e kurorave me lule. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.. Festimet në këtë qytet vijuan në Pallatin e Kulturës me një veprimtari muziko-letrare kushtuar festave të nëntorit.