Kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes Rheinmetall po shqyrton anulimin e projektit për ndërtimin e një fabrike municionesh artilerie në Ukrainë, më shumë se dy vjet pasi planet për këtë investim u prezantuan. Lajmin e bëri të ditur drejtori ekzekutiv i kompanisë, Armin Papperger, gjatë një prezantimi për investitorët në Hamburg, ku përmendi mungesën e përparimit nga pala ukrainase dhe synimin e Kievit për të zhvilluar vetë kapacitetet prodhuese.
Sipas tij, fabrika e municioneve në Ukrainë mund të mos ndërtohet fare, pasi ukrainasit duan ta kryejnë vetë këtë punë. “Besoj se nuk do të vazhdojmë me këtë projekt, pasi nuk ka pasur përparim nga pala ukrainase. Ata dëshirojnë ta bëjnë këtë vetë”, deklaroi Papperger.
Projekti ishte paralajmëruar në shkurt të vitit 2024 dhe parashihte ndërtimin e një fabrike për prodhimin e predhave të artilerisë të kalibrit 155 milimetra. Zbatimi i tij është shtyrë disa herë, ndërsa drejtuesit e Rheinmetall kishin përmendur më herët edhe pengesat burokratike në Ukrainë.
Sipas planit fillestar, fabrika parashihej të prodhonte rreth 150 mijë predha artilerie në vit, me synimin që prodhimi të niste gjatë vitit 2026.
Ukraina zgjeron prodhimin e vet Ndërkohë, Ukraina ka zgjeruar ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes dhe kapacitetet për prodhimin e municioneve. Papperger ka bërë të ditur se forcat ukrainase përdorin nga një deri në 1.3 milion predha artilerie në vit, ndërsa më shumë se gjysma e tyre prodhohen tashmë në vend.
Mundësia e anulimit të projektit nuk nënkupton ndërprerjen e bashkëpunimit mes kompanisë gjermane dhe Ukrainës. Rheinmetall do të vazhdojë furnizimin me municione për ushtrinë ukrainase në kuadër të programeve të ndihmës ushtarake nga Gjermania, Danimarka dhe Holanda. Papperger ka përmendur gjithashtu mundësinë e furnizimit të Ukrainës me pajisje industriale, përfshirë presa të posaçme, që do t’i ndihmonin vendit të zhvillonte më tej prodhimin e vet.
Një tjetër fushë e mundshme bashkëpunimi mbetet furnizimi me municione artilerie me rreze shumë të gjatë veprimi, për prodhimin e të cilave Ukraina ende nuk i posedon të gjitha teknologjitë e nevojshme.