E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
KLSH zbulon skandalin e qirave në bashkinë e Erion Isait
Lajme

KLSH zbulon skandalin e qirave në bashkinë e Erion Isait

🇬🇧 Read in English

170 hektarë kullota publike në dispozicion të një kompanie private

Kompania që synon 60 mln euro investim shitet për 100 mijë lekë

Biznesi 60 mln euro i Kolonjës shitet sa një iPhone 17 Pro

Bashkia e Kolonjës, e drejtuar nga Erion Isai, ka vënë në dispozicion të kompanive private rreth 170 hektarë kullota publike për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, ndërsa administrimi i këtyre pronave dhe arkëtimi i të ardhurave nga qiratë janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas auditimit të KLSH-së, bashkia kishte parashikuar të arkëtonte 15.3 milionë lekë gjatë vitit 2025 nga zëri buxhetor “Fond pyjor me qira”, por në këtë kategori nuk rezulton të jetë arkëtuar asnjë lek.

Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte evidentuar edhe më herët problematikën e kontratave që lejojnë vënien në dispozicion të pronave publike pa gjeneruar të ardhura deri në momentin e nisjes së investimeve. Pavarësisht rekomandimeve për ndryshimin e kësaj praktike, ato rezultojnë të pazbatuara.

Një nga rastet që ngre pikëpyetje është ai i kompanisë “Kail Energy”, e themeluar më 1 shkurt 2023 nga Edona Osmani, me një kapital fillestar prej vetëm 100 mijë lekësh.

Vetëm katër muaj pas krijimit, kompania u shpall fituese në dy procedura të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë për marrjen me qira të 69.7 hektarëve kullota në Selenicë dhe 100 hektarëve të tjerë në Qinam.

Në të dyja procedurat, “Kail Energy” ishte ofertuesja e vetme dhe ofroi çmimin minimal prej 176 mijë lekësh për hektar në vit. Sipas ofertave fituese, të ardhurat potenciale për bashkinë nga këto dy sipërfaqe arrijnë në rreth 29.9 milionë lekë në vit.

Megjithatë, dokumentacioni publik i procedurave nuk pasqyron datën e nënshkrimit të kontratave dhe momentin kur kanë nisur detyrimet financiare.

Dhënia e kullotave për parqe fotovoltaike ka sjellë edhe kundërshtime nga blegtorët e zonës, të cilët rrezikojnë të humbasin sipërfaqet ku kanë ushtruar tradicionalisht aktivitetin e tyre.

Projekti 60 milionë euro, kompania shitet për 100 mijë lekë

Përmasat e çështjes bëhen edhe më interesante kur shihet projekti që “Kail Energy” synonte të zhvillonte në këto sipërfaqe.

Dokumentet tregojnë se kompania kishte aplikuar që më 8 maj 2023 për lidhjen me rrjetin e transmetimit të një centrali fotovoltaik me kapacitet 40 MWp. Ndërkohë, në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025, projekti “Kail Solar” figuron me kapacitet 60 MW.

Për ndërtimin e një parku të tillë fotovoltaik nevojitet një investim që vlerësohet në të paktën 50-60 milionë euro. Për krahasim, projekti fotovoltaik i KESH-it në Belsh, me kapacitet 50 MWp, është vlerësuar nga BERZH në 40 milionë euro.

Por, pavarësisht përmasave të projektit, në dokumentacionin publik të konsultuar nuk evidentohen burimet e financimit të investimit.

Një tjetër detaj që ngre pikëpyetje lidhet me pronësinë e kompanisë. Më 11 mars 2026, Edona Osmani i shiti 100% të kuotave të “Kail Energy” Ardit Muçës për vetëm 100 mijë lekë, duke u larguar edhe nga administrimi i saj.

Pra, kompania që kishte marrë në përdorim afro 170 hektarë kullota publike dhe kishte avancuar procedurat për një projekt fotovoltaik me vlerë potenciale dhjetëra milionë euro, ndryshoi pronësi për të njëjtën shumë me të cilën ishte themeluar.

Shitja për 100 mijë lekë, sa çmimi i përafërt i një telefoni iPhone 17 Pro, krijon një kontrast të fortë me përmasat financiare të projektit që kompania synon të realizojë.

Pse një kompani e themeluar me kapital simbolik përfitoi të drejtën e përdorimit të rreth 170 hektarëve kullota publike? Kush qëndron pas financimit të projektit 60 milionë euro dhe përse kuotat e saj u shitën për vetëm 100 mijë lekë?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.