Tre protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit gjatë protestës në Tiranë, pas përshkallëzimit të përplasjeve mes turmës dhe efektivëve të rendit.
Situata në bulevard ka vijuar të jetë e tensionuar, me protestues që kanë hedhur gurë, sende të forta dhe molotovë në drejtim të policisë. Përballë këtyre veprimeve, forcat e rendit kanë ndërmarrë një lëvizje përpara, duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët ujëhedhës për të shpërndarë pjesëmarrësit në protestë.
Përdorimi i gazit ka krijuar vështirësi edhe për gazetarët që po ndjekin zhvillimet nga terreni, pasi shtëllungat e dendura kanë kufizuar raportimin në zonën e përplasjes.
Për t’iu shmangur gazit lotsjellës, një pjesë e protestuesve janë larguar nga bulevardi, duke u pozicionuar në të dyja anët e lumit Lana, si dhe në hapësirat poshtë urës.
Ndërkohë, në mesin e protestuesve, përfshirë edhe të rinj, janë parë persona që mbanin në duar shkopinj dhe mbrojtëse, të cilat raportohet se janë marrë nga efektivët e policisë.

