Ka shkuar në 19 numri i personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, të cilët janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spitale.
Sipas bilancit të përditësuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 persona të lënduar. Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, njëra prej të cilave shtetase e huaj, si dhe tetë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në Spitalin e Traumës ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur edhe dy të lënduar, një efektiv policie dhe një protestues.
Kështu, bilanci i përgjithshëm deri në orën 15:15 përfshin gjashtë efektivë policie, katër përfaqësues të medias dhe nëntë protestues.

