Manchester United ka bërë një kërkesë për informacion rreth Nico Pazit, pasi mesfushori po shqyrton të ardhmen e tij, sipas gazetarit Matteo Moretto.

22-vjeçari aktualisht luan te Como, por Real Madridi ka mundësinë ta rikthejë në fund të sezonit për 80 milionë euro.


Mesfushori do të dëshironte të rikthehej në ‘Santiago Bernabeu’, megjithëse ende nuk dihet nëse do të kishte mundësi të siguronte minuta të rregullta në formacion.

Manchester United është një nga klubet që po e përcjell nga afër situatën. Moretto konfirmoi se disa skuadra të Ligës Premier kanë kontaktuar përfaqësuesit e lojtarit për të pyetur rreth së ardhmes së tij, me “Djajtë e Kuq” që kanë shfaqur interesim të veçantë.

“Unë mund të konfirmoj se ka klube të Ligës Premier që kanë pyetur për situatën e tij. Manchester United mbi të gjitha”, deklaroi ai.

“Pochettino ka të njëjtin agjent me Nico Pazin. Dhe po, është e vërtetë që ata kanë pyetur për të”.

Në këtë fazë nuk ka asnjë indikacion për një ofertë zyrtare apo negociata të avancuara, por Manchester United ka bërë një kërkesë fillestare për informacion, ndërsa po monitoron situatën e mesfushorit.

Ndërkohë, Real Madridi duhet të vendosë nëse do ta aktivizojë opsionin prej 80 milionë eurosh për ta rikthyer Pazin në klub.

Moretto shpjegoi se skuadra spanjolle mund t'i humbasë të drejtat mbi lojtarin nëse nuk e shfrytëzon këtë mundësi./Telegrafi/