28 Nëntori është dita që bashkon shqiptarët përtej dallimeve politike, ideologjike dhe shoqërore. Është dita e flamurit, e pavarësisë, e krenarisë kombëtare dhe e kujtesës historike. Është dita kur duhet të ndihemi më shumë se kurrë një komb, me një histori të përbashkët dhe me një të ardhme që duhet ta ndërtojmë së bashku.
Por çfarë ndodh kur edhe në ditën tonë më të shenjtë kombëtare, në vend të bashkimit, mbizotëron në qendër të Tiranës përplasja? Kur në vend të respektit shfaqet urrejtja, kur në vend të dialogut përdoret dhuna dhe kur Festën e Flamurit e shoqërojnë skena që cënojnë dinjitetin e qytetarëve dhe imazhin e vendit?
A duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me dhunën? A duhet ta pranojmë atë si një pjesë të zakonshme të jetës sonë politike dhe shoqërore?
Përgjigjja duhet të jetë e prerë: JO!
Dhuna nuk është zgjidhje. Ajo është shenjë e dështimit të dialogut, e dobësisë së institucioneve dhe e pamundësisë për të gjetur zgjidhje përmes argumentit, ligjit dhe përgjegjësisë.
Dhuna nuk zgjidh problemet, por i shumëfishon ato. Në një shoqëri demokratike sikurse dhe e kemi, ndonëse me mjaft mungesa, problemet janë të pashmangshme. Ka pakënaqësi, padrejtësi të perceptuara apo reale, konflikte politike, mosmarrëveshje ekonomike dhe sociale. Por mënyra se si i trajtojmë këto probleme përcakton nivelin e demokracisë dhe të qytetërimit tonë.
Kur një qytetar proteston për një padrejtësi, ai ushtron një të drejtë themelore. Por kur protestuesi shndërrohet në dhunues dhe kur politika nxit përplasjen, atëherë të gjithë humbasim.
Dhuna nuk e ul çmimin e ushqimeve. Nuk rrit pagat. Nuk përmirëson arsimin. Nuk zgjidh problemet e pensionistëve. Nuk krijon vende pune. Nuk lufton korrupsionin. Nuk përshpejton integrimin europian.
Përkundrazi, ajo largon vëmendjen nga problemet reale dhe i jep politikës së përplasjes një justifikim të rrezikshëm për të mos u marrë me to.
A duhet të bashkëjetojmë me dhunën?
Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme europiane duke u mësuar me dhunën.
Nuk mund të pranojmë që çdo protestë të shoqërohet me tensione, që çdo debat politik të përfundojë në përplasje dhe që çdo krizë institucionale të zgjidhet përmes forcës.
Kur dhuna përsëritet, shoqëria rrezikon të humbasë ndjeshmërinë ndaj saj. Ajo që dje na trondiste, sot na duket normale. Ajo që dje e dënonim, nesër fillojmë ta justifikojmë me argumentin se “nuk kishte rrugë tjetër”.
Ky është një nga rreziqet më të mëdha për demokracinë: normalizimi i dhunës.
Një shoqëri që mësohet me dhunën rrezikon të mësohet edhe me padrejtësinë, me frikën, me arbitraritetin dhe me mungesën e përgjegjësisë.










Komente
Komento